Dje në TikTok u bë virale një video e cila përfshin një akuzë të rëndë nga një grua ndaj ekipit të këngëtares Eli Malaj.
Sipas saj, anëtarët e ekipit i kanë kërkuar 50 euro për të realizuar një fotografi me këngëtaren, një pretendim që shkaktoi një valë reagimesh nga ndjekësit e saj.
Eli Malaj, mbrëmë erdha në koncertin tuaj, për të harruar sëmundjen dhe dhimbjen që kam. Bashkëpunëtorët e tu më kërkuan 50 euro për të bërë një foto me ty, ti mund të jesh shumë e dëgjuar dhe e njohur, por ne jemi luftëtare që luftojmë çdo ditë për jetën. Ndoshta do të ishte në nderin tënd që të bëje një foto me mua.
Këngëtarja u detyrua të dalë në një deklaratë për të sqaruar situatën. Ajo mohoi kategorikisht akuzat, duke theksuar se nëse ndonjë anëtar i ekipit të saj do të kishte vepruar në atë mënyrë, ajo nuk do të vazhdonte më të bashkëpunonte me ta.
Më tej, Eli theksoi se nuk ka realizuar kurrë një veprim të tillë dhe se përkundrazi, ka pasur raste kur ajo vetë ka ofruar ndihmë financiare.
Përshëndetje, nuk ndodh që të bëj kështu mesazhesh, por ngaqë ma dërguan miqtë, u ndjeva që të jap një shpjegim. Eli Malajt nuk i ndodh kurrë që të bëjë fotografi me lekë. Kanë ardhur për të bërë fotografi dhe u kam dhënë unë lekë, që ta dijë zonja e nderuar, pa marrë parasysh nëse është e sëmurë apo jo. Asnjë prej bashkëpunëtorëve të mi, nuk i ka lypur gjë, zonja t’i thërrasë mendjes, se unë kam pagesën time dhe nuk i kërkoj askujt gjë. Nëse bashkëpunëtorët e mi do i kishin kërkuar 50 euro, ata e dinë që nuk do të ishin më bashkëpunëtorët e mi.