Premiera e filmit “Në kuadër të dashurisë”, i pari prodhim i “Top Channel Films”, mbajtur më datë 9 Tetor në Pallatin e Kongreseve, bëri bashkë personazhe të njohur të ekranit shqiptar. Filmi me protagonist kryesor, Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin u prit mes emocioneve të shumta, ku një numër i madh njerëzish iu bashkuan pritjes në tapetin e kuq.
E që nga ajo ditë, filmi më i komentuar dhe më i shumëpritur nga publiku nuk ndalet. Por përveç produktit final, kurioziteti është gjithashtu shumë i madh dhe për prapaskenat e filmit, xhirimet, momentet e vështira apo të bukura të kastit gjatë realizimit të “Në kuadër të dashurisë”, apo dhe marrëdhëniet mes tyre.
“Në Kuadër të Xhirimeve”, dokumentari i filmit “Në kuadër të dashurisë”, sigurisht që zbuloi detaje, ndjenja, emocione dhe momente ekskluzive nga i gjithë kasti.
Ledion Liço: Ideja për të realizuar këtë film erdhi besoj krejt natyrshëm, disa bashkëpunëtorë të kanaleve të ndryshme të Top Media-s u bënë bashkë. Mbase një manifestim i përbashkët dhe ndodhi. Vonoi pak kohë por ndodhi. Unë nga natyra jam një njeri që e jetoj jetën i udhëhequr nga dashuria. Më interesoi ky skenar sepse fliste për dashurinë në një mënyrë autentike, moderne, pa artificat romatike të bukura të Hollywood-it por duke qenë se jetojmë në një kohë me rrjete sociale dhe histori të tilla, ky skenar më goditi.
Koloreto Cukali: Mblodha copa historie njerëzish dhe përshtata copa idesh dhe historie që kisha dëgjuar. U përpoqa që të shprehja një shqetësim urban, ato hallet e përditshme që kemi ne kryesisht në marrëdhënie. E gjithë ideja e filmit ishte për të dhënë dashuri, për të treguar disa histori dashurie në këtë vend. Ndërkohë që përpëliteshim për të gjetur një titull kjo frazë “Në kuadër të dashurisë” vinte si natyrshëm në bisedë sepse ishte një term i përdorur, ajo “Në kuadër të lojës…”.
Ledion Liço: Një shprehje e përdorur shumë gjatë lojës së Luiz Ejllit në Big Brother. Duke qenë që filmi ishte i gjithi një histori dashurie, ne zgjodhëm pikërisht të bashkonim atë me këtë, si një lojë e lezetshme PR por natyrisht me një mesazh të bukur dhe me përmbajtje.
/Top Channel Films