Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Majlinda Dehimën, edukatoren 48-vjeçare që pak ditë më parë dhunoi 3-vjeçaren në kopshtin “Stinët”.
Ky rast i rëndë u denoncua në emisionin “Stop” në Tv Klan. Dehima akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për keqtrajtim të të miturës në lidhje me dhunën ndaj 3-vjeçares e cila për pasojë ka thyer këmbën.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura dhe pa praninë e kamerave, ku Dehima dha shpjegimet e saj lidhur me ngjarjen e ndodhur me 1 nëntor. Ajo ka mohuar ta ketë prekur me dorë dhe ka kërkuar ndjesë për atë që ka ndodhur. Ajo është shprehur se nuk e ka kuptuar që e mitura ka thyer këmbën.
“Nuk e kam prekur me dorë. Kërkoj ndjesë për çfarë ka ndodhur, por nuk e kam kuptuar që mitura e ka thyer këmbën”, mësohet të ketë thënë ajo sipas gazetarit Besar Bajraktaraj.
Përmes avokatit, Dehima kërkoi të merrte një masë më të lehtë sigurie, por kjo u refuzua nga gjykata. Sa herë është marrë në pyetje nga hetuesit, në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, edukatorja ka deklaruar se nuk ia ka thyer ajo këmbën, por fëmija e ka thyer tek ndarëset e krevatit teksa ishte shtrirë për të fjetur në orarin e drekës.
Ky deklarim është hedhur poshtë pas këqyrjes së pamjeve filmike dhe të publikuara sërish në emisionin “Stop”.
U deshën disa ditë për të dalë në konkluzionin që Dehima të ishte në një masë sigurimi më të ashpër si ajo e arrestit me burg, pasi fillimisht u hetua në gjendje të lirë.
Sa i përket kopshtit “Stinët”, krahas mbylljes së aktivitetit vijon një hetim në gjendje të lirë për pronarin e kopshtit, Daniel Danushi.