Programet e zhanrit ‘reality show’ që prodhohen dhe transmetohen në Kosovë do të mund të shikohen duke përdorur një kod.
Kështu thotë Rregullorja për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve, e miratuar sot nga Komisioni i Pavarur i Mediave në Kosovë.
Kryetari i bordit të KPM-së, Jeton Mehmeti, ka thënë se ky rregull do të vlejë për të gjitha programet që hyjnë në këtë zhanër.
”KPM ka miratuar Rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve e cila ka një nen si masë mbrojtëse/ preventive për programet ‘reality show’ që me qenë të koduara, me pasë një kod të cilin e vendos prodhuesi. Do të vlejë për programet që ne kemi dhënë një përkufizim si ‘reality show’”- ka thënë ai për KALLXO.com.
Mehmeti ka treguar pse është parë e arsyeshme që këto programe të jenë të koduara.
Ndërsa ka thënë se nga përvoja që ka KPM, në këto programe ka pasur paraqitje të dhunës, gjuhës vulgare e të tjera.
“Si bazë e kemi direktivën europiane që lejon rregullatorët të marrin masa me strikte për mbrojtjen e fëmijëve. E dyta Ligji i KPM-së ka disa nene që specifikojmë masat e duhura për mbrojtjen e fëmijëve. Dhe duke u nisur nga përvoja që kemi pasur me programet ‘reality show’ në Kosovë, ku kemi parë paraqitje të dhunës, gjuhës vulgare, nuditetit e të tjerë prandaj e kemi e parë të udhës të vendosim këtë nen”– ka thënë ai.
Mehmeti për KALLXO.com ka thënë se kodi do të vendoset nga prodhuesi i programit dhe se rregulli do të vlejë për programet që ose janë duke u prodhuar ose do të prodhohen në të ardhmen.
Ai po ashtu ka thënë se pa marrë parasysh përdorimin e kodit, edhe për pjesën tjetër që transmetohet nëse është në kundërshtim me ligjin dhe rregulloret e KPM-së do të vlejnë rregullat e njëjta.
“Ky rregull vlen edhe për programe që prodhohen diku tjetër e transmetohen në Kosovë”- ka thënë ai.
Muaj më parë, Komisioni i Pavarur për Media ka pranuar disa ankesë në lidhje me programin televiziv ‘Big Brother’ që shfaqet në platformën “Artmotion”.
Mendohet se e njëjta praktikë do të ndiqet edhe në Shqipëri, pasi programe të tilla reality, shpesh herë kanë pasur ngjarje të papritura që kanë degraduar edhe në dhunë fizike, ndaj do të cilësohen si programe për të rritur.