Ndërsa vera është sezoni ku artistët ndezin motorrët e tyre për të qenë sa më të pranishëm në koncerte, Bardhit me sa duket i është mohuar kjo mundësi.
Shkak për këtë është bërë prishja e marrëdhënieve me Jetmir Agajn, menaxherin e tij. Ndonëse marrëdhënia e tyre u ‘kris’ disi me pjesëmarrjen e Bardhit në BBV3, duket se dyshja e gjeti rrugën t’i linte pas konfliktet…të paktën për pak kohë.
Pak ditë më parë partnerja e Bardhit, Sara Gjordeni, njoftoi se menaxheri i Bardhit i kishte ndaluar aksesin këngëtarit në Instagramin e tij duke i bllokuar punën, pikërisht në momentet që kishte më shumë nevojë, pasi sapo ka krijuar një familje të re dhe është në pritje të një fëmije.
Ndonëse nuk pati reagim nga Jetmiri, së fundmi Bardhit i është anuluar pjesëmarrja në një koncert, pikërisht nga menaxheri i tij.
“Menaxhmenti i artistit Bardhi ka anuluar koncertet e kësaj periudhe…”- thuhet ndër të tjera në postimin e organizatorëve, teksa tregojnë se do të zëvendësohet nga një tjetër artist.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Sara Gjordeni, e cila e cilëson si turp këtë veprim.