Në fillim e deklaruan hapur miqësinë e tyre, sapo u bënë pjesë e lojës në “Big Brother”, madje edhe e ruajtën gjatë njëra-tjetrën, pa u përfshirë shumë me pjesën tjetër të banorëve dhe pa dashur të jenë gjithmonë pjesë e debateve të tyre. Ama nëse Arta zgjodhi të jetë paqësore, pozitive dhe e qetë nga fillimi deri në fund të rrugëtimit të saj, mikesha e saj, Vesa Smolica, kuptoi që me “paqe” nuk ia dilje gjatë në BBV, ndaj vendosi të nxirrte pak më shumë në pah anën ekspresive të saj.
Po çfarë mbeti pas daljes nga formati në miqësinë e dy vajzave? Arta tregoi për “Pushime on Top” se ajo e ka respektuar gjithmonë Vesën për atë që është. Edhe pse kohët e fundit është vënë re sikur raporti i tyre është ftohur, në fakt, për Artën nuk ka asnjë qejfmbetje. Të paktën, në dukje.
“Unë e kam respektuar shumë dhe e kam vlerësuar. E respektoj dhe e vlerësoj, gjithmonë e kam thënë, për talentin që ka, për mirësinë që ka. Mirëpo, unë nuk kam kohë as të shikoj vëllanë tim. Jeta, rutina të merr përpara. Edhe ajo ka vështirësitë dhe punët e saj, me të cilat po merret, edhe unë të miat dhe kjo është. Nuk ka të bëjë me prishje raporti apo me dashakeqësi apo diçka tjetër” – u shpreh këngëtarja.
Vërtet është koha e pamjaftueshme për t’u takuar me miqtë? Nëse e thotë Arta, çfarë mund të mendojmë tjetër?