Një javë nga dita kur blogerja Klea Prenga ra pre e një sulmi fizik, dy motrat Atonela dhe Mariela Berishaj vijojnë të jenë në kërkim. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një reagim të djeshëm tha se “policia është angazhuar për kapjen e personave. Shumë shpejt do të keni njoftimin për kapjen e tyre”.
Ndërkohë 2 motrat vijojnë të postojnë në faqen e Instagramit foto të biznesit të tyre.
Ngjarja u shënua më 6 gusht në një lokal tek Kodra e Diellit në Tiranë, ndërsa vetë 24- vjeçarja e bëri denoncimin dy ditë më pas. Në një postim të saj në Instagram ajo akuzoi motrat Mariela dhe Antonela Berisha, kjo e fundit e njohur si ish-konkurente e “Përputhen”, si autore të dhunës fizike të saj duke i thyer një shishe në fytyrë.
Nga dhuna Klea Prenga pësoi dëmtime të rënda në fytyrë. Sot ajo ka reaguar sërish në rrjetet sociale duke falënderuar personat që i kanë qëndruar pranë në këtë situatë të vështirë dhe i kanë dhënë kurajë.
Shkak i dhunës barbare që motrat Antonela dhe Mariela Berisha ushtruan mbi Prengën mendohet se është bërë dyshimi i Marielës se Klea kishte lidhje me bashkëshortin e saj prej të paktën një viti. Prenga ka qenë duke darkuar në një restorant në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, kur dy motrat i janë afruar dhe kanë nisur ta godasin me sende të forta në fytyrë, duke i shkaktuar dëmtime të shumta.
Agjentët e Komisariatit nr. 1 kanë kryer disa kontrolle në kërkim të të dyjave, por deri tani nuk janë gjetur. Ato akuzohen për plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim, dhe rrezikojnë burg deri në 10 vjet.