“Big Brother Vip Kosova 3” është gati të hapë dyert për të mirëpritur banorët e këtij edicioni, të cilët sipas producentes Olsa Muhameti do të jenë një super kast gjithëpërfshirës – për të gjithë njerëzit dhe moshat.
Ndërsa producentja zbuloi se moderator do të jetë Alaudin Hamiti dhe se spektakli do të nisë në fillim të tetorit, pyetja e vetme që ngelet për t’u shtruar është kush do të jenë dy opinionistët e këtij edicioni?
Epo, ka një përgjigje edhe për këtë: burime në rrjet dhe media konfirmojnë se opinionistët e këtij edicioni do të jenë Milaim Zeka dhe Einxhel Shkira.
Të dy emrat janë pritur tejet mirë nga publiku. Sa i përket Milaimit, ndonëse aktiviteti i tij shtrihet më së shumti në politikë, gazetari dhe ish-deputeti jo pak herë ka qenë i pranishëm edhe në panele showbizi ku ka dhënë opinionet e tij, që shpesh herë janë mjaft ironike dhe pikante. Gjithashtu, Milaimi disa herë ka qenë i ftuar për të folur lidhur me BBV në Shqipëri, si i ftuar në ‘Fan Club’ e duket se tashmë është gati për një eksperiencë si opinionist në BBVK.
Nga ana tjetër, Einxhel Shkira – finaliste e BBVA 1 dhe një nga personazhet më të komentuar të edicionit të parë të BBV. Ndonëse Einxhel u rendit e treta në BBV1, impakti i saj ishte shumë i fortë ndërsa asokohe shumë u shprehën se sikur Einxhel të ishte bërë pjesë e BBV që në fillim të lojës, padyshim do të ishte një nga banoret e dyshes finale.
Gjithashtu, Einxhel ka treguar se do t’i rikthehet sërish TV këtë sezon, ndërsa është shpërngulur prej kohësh për të jetuar në Kosovë – shtoji këtyre faktin që Einxhel e ka kaluar me sukses provën e opinionistes së BBV, kur gjatë edicionit të tretë të BBVA në një nga prime-t zëvendësoi Arbër Hajdarin dhe publiku e priti mjaft mirë në këtë pozicion.
Edhe pse këto emra janë tashmë të konfirmuar në rrjet, mbetet edhe konfirmimi zyrtar i tyre nga vet ata dhe produksioni, e ne na mbetet të presim edhe pak… /XLmedia