Kënga e Bardhit, “Qikës tem”, e publikuar vetëm pak ditë më parë, mori reagime të shumta. Ndërkohë që ishin të shumtë ata që u solidarizuan me rrëfimin e ndjerë të artistit për periudhën e vështirë financiare që kaloi në një kohë që partnerja e tij ishte në muajt e parë të shtatzënisë, pati edhe nga ata që ngritën dyshime duke e krahasuar rrëfimin me stilin e jetesës së çiftit.
Gjatë intervistës me Prive, Bardhi sqaroi se kënga është shkruar muaj më parë, kur ata po kalonin një periudhë shumë të vështirë financiare dhe ai ishte pa punë.
“Kënga u shkrua në maj. Përgjatë një muaji, një muaji e gjysmë, unë nuk kam punuar. Nuk kam pasur as koncerte. Dhe realisht ajo që kam folur në këngë ka qenë e vërtetë. Në atë kohë ka punuar Sara, me reklama, me emisione. Ka sjellë lekë më shumë në shtëpi se unë. Ka pasur një fazë ku vërtet s’kam mundur t’i blej vitaminat. Ka qenë një fazë e shkurtër, sot s’e kemi.
Sa i përket asaj kohe, unë si Bardh e kam ndier njëfarë përgjegjësie si kryefamiljar. Unë aty po flas vetëm për vete, unë si kryefamiljar. Më ka dhembur shpirti pse s’kam mundur t’i siguroj unë ato. Familjet tona kanë mundur të na ndihmojnë, po, por s’kam dashur t’i kërkoj askujt. Nuk kam dashur t’i kërkoj borxhe askujt, as nuk ia kam shpjeguar askujt situatën. E kemi përjetuar keq, por shyqyr Zotit kaloi. Sot jemi shumë mirë.”
Duke treguar më tej për situatën e tij financiare aktualisht, Bardhi theksoi edhe njëherë se është shumë mirë, po punon shumë dhe se periudha e vështirë për të cilën flet në këngë ka kaluar.
“Shyqyr Zotit, shumë mirë! Verës kam punuar shumë mirë. Tani po vazhdoj të punoj. Unë jam besimtar i fesë islame, falem rregullisht, besoj shumë në Zot dhe besoj shumë në caktimin e riskut. Riskun që ta jep ai lart, nuk mundet të ta marrë askush poshtë. Për mua ka vazhduar puna pas gjithçkaje“, -tha ai.
Sara dhe Bardhi do të bëhen së shpejti prindër të një vajze, të cilën e kanë quajtur Nea.