Rreth një muaj më parë, Mihrije Braha humbi nënën e saj. Këngëtarja e njoftoi tragjedinë përmes postimeve në rrjete sociale, të cilave u kishte paraprirë edhe me disa foto në ditët e fundit me nënën.
Për herë të parë pas ngjarjes, Mihrija ka ndarë rrëfimin e saj në “Studio A” në ATV. Fillimisht, ajo shpjegoi se e ëma nuk vuante nga probleme shëndetësore, por ishte një proces natyral.
“Nëna, ndjesë pastë nuk ka qenë e sëmurë, por mosha, 86 vjeçe e gjysmë, sikur filloi e lëshoi fuqia gradualisht dhe ne e pamë që çdo ditë ajo po ndryshon jo për mirë, po i humbte forca dhe i kemi qëndruar pranë. Kam qëndruar një muaj pranë saj dhe nuk ka çmim që e paguan qëndrimin tim 24/7 aty sepse kam fjetur me nënën, jam zgjuar me nënën, kam folur, kam biseduar me të, jam kudjesur për të, pavarësisht që nuk i ka munguar kujdesi as prej vëllait, as prej kunatës”, tha ajo duke renditur edhe familjarët e tjerë që i kanë qëndruar pranë.
Mihrija ndau edhe momentin më të bukur në ditët e fundit me nënën.
“4 ditët e fundit ka qenë komplet në agoni dhe ne nuk është se s’e prisnim humbjen e saj, por që kanë qenë momente shumë të vështira, edhe pse ne jemi 7 fëmijë, të gjithë kemi qenë pranë saj, të gjithëve na ka folur, na ka ledhatuar, na ka përqafuar, kam shumë video, kam shumë foto me të në çfarëdolloj momenti por më të bukurën që ma lehtëson pak dhimbjen është natën kur kam fjetur me të, e kam marrë në gji siç më merrte ajo në gji kur unë isha bebe dhe ka folur në gjumë, i kam dhënë përgjigjen në gjumë, ia kam dëgjuar frymëmarrjen afër zemrës sime, shpirtit tim kështu që kanë qenë momente tepër të bukura që në momente të caktuara sikur nuk më lënë të mërzitem.”