I ftuar në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, Elton Ilirjani CEO i The HeadHunter Group rrëfeu në një intervistë ekskluzive përjetimet përgjatë viteve që në momentin që deklaroi orientimin e tij seksual. Teksa u kthye pas në kohë ai tregoi se i dërgoi një letër djalit që dashuronte.
Pjesë nga intervista:
Blendi Fevziu: Dhe ne në fakt po flasim për Tepelenën e vitit 1991, kur dhe Tirana ishte tejet konservatore e pa mësuar me këto terma, e pa hapur imagjino se çfarë mund të ndodhte në Tepelenën e atij viti.
Elton Ilirjani: Unë nisa një letër dashurie madje.
Blendi Fevziu: I nise një letër dashurie atij djalit, dhe si reagoi?
Elton Ilirjani: Kisha një shok tjetër, i shkruaja një letër ku unë i shpjegoja se e dashuroja, e kisha shumë qejf dhe ia dhashë shokut që t’ia çonte në një nga ato bilardot. Dhe atje ishin vetëm çuna të rritur të cilët lexuan letrën time dhe me siguri kanë qeshur me të madhe, me siguri janë tallur.
Blendi Fevziu: Dhe nuk more kurrë përgjigje nga ai djali?
Elton Ilirjani: Më vonë mora!
Blendi Fevziu: Më vonë çfarë lloj përgjigje more?
Elton Ilirjani: Mora një përgjigje shumë të mirë më vonë, deri diku dhe pranuese.
Blendi Fevziu: Sa më vonë?
Elton Ilirjani: Ndoshta 12 vjet më vonë.
Blendi Fevziu: Dhe reagimi tjetër publik i njerëzve që e morën vesh rreth e rrotull teje cili ishte në Tepelenë?
Elton Ilirjani: Kanë qenë shumë sporadike sepse kur ti ke mbështetjen e familjes çdo gjë tjetër rreth teje bëhet më e lehtë. Kuptohet që është atje ofendimi, sharja. Për herë të parë unë kam dëgjuar një fjalë ofenduese në vitin 1993 dhe nuk e dija se çfarë ishte. Kam shkuar në shtëpi dhe i kam thënë vëllait më të rritur që kam dëgjuar këtë fjalë çfarë do të thotë dhe ai ishte ofendim.
Blendi Fevziu: Nga momenti që ti u largove nga familja dhe dole në jetën tënde, sa e vështirë ka qenë që të përballej kjo situatë.
Elton Ilirjani: Më e vështira në ka qenë në Tiranën e viteve 2004-2009?
Blendi Fevziu: Pse?
Elton Ilirjani: Sepse unë deri në vitin 2000 kam qenë në Tepelenë në gjimnaz ku lexoja dhe shkollohesha dhe kam qenë një nxënës shumë i mirë.
Blendi Fevziu: Nxënësit e tjerë të shkollës e dinin orientimin tënd?
Elton Ilirjani: Po, po e dinin patjetër.
Blendi Fevziu: Dhe nuk kishte ofendime, sharje?
Elton Ilirjani: Jo! Shqipëria e atyre viteve ka qenë në këtë drejtim pak më e përmbajtur.