Një prej zërave që jo vetëm ka mahnitur publikun, por ka bërë histori me stilin dhe ekspresivitetin që e ka karakterizuar në skenë, është rikthyer. Jo për të kënduar apo për të shpërthyer skenën si dikur (megjithëse këtë është gati gjithmonë ta bëjë), por Adelina ismaili është pjesë e jurisë së spektaklit “Albania’s Got Talent”, i cili ka nisur transmetimin mbrëmjen e sotme në ekranin e Vizion Plus.
Sapo hynë në skenë konkurrentet e para, grupi i kërcimit të vajzave “Kill The Beat”, Adelina e ndoqi me shumë emocion performancën e tyre dhe menjëherë pas saj, u shpreh e mahnitur: “Unë kam një çun 7 vjeç dhe po ju shikoja juve, sa shumë do dëshiroja të kem edhe një vajzë. Jeni të gjitha kaq të mira, shumë, shumë të mira…” – u tha ajo vajzave duke i komplimentuar.
Dëshirën për të pasur një vajzë, Adelina e përmendi edhe disa minuta më vonë, me njërën prej konkurrenteve, Maren, një gjimnaste e jashtëzakonshme që gjithashtu i mahniti të gjithë anëtarët e jurisë. Pasi Adelina i “kërkoi” të bëhej vajza e saj, Maren ia ktheu pa e menduar gjatë: “Unë mund të vij te shtëpia jote të rri disa ditë, por vajza jote nuk mund të bëhem.”
Përgjigjja i pëlqeu shumë artistes shqiptare që nuk e fshehu edhe një herë tjetër adhurimin për vajzat.