Natën e ndërrimit të viteve, në një nga club-et e natës në Tiranë ku do të performonin disa artistë, pati të shtëna në ajër. Incidenti nuk pati pasoja përveçse panikut të të pranishmëve. Më pas, nga identifikimi i autorit rezultoi se pas kësaj qëndronte Jetmir Pepa (Mir Pepa), i cili është një emër i njohur për publikun.
Ai është ish-burri i Mariela Berishës, motra e Antonela Berishës që u bë shkaku i dhunës së tyre ndaj Klea Prengës. Në rrjetet sociale, kanë dalë video të ndryshme, një prej tyre e Kleas dhe Mirit ku duket sikur janë në të njëjtin ambient.
Klea ka reaguar në rrjetet sociale për të sqaruar situatën. Ajo thotë se me këtë skandal nuk ka asnjë lidhje sepse as nuk ndodhet në Shqipëri momentalisht. Ajo thotë se kjo është një histori e sajuar pasi një ditë më parë kësaj ngjarjeje, ka marrë një mesazh ku i është dërguar edhe videoja. Më pas, shkruan se ka marrë edhe mesazhe kërcënuese, për të cilat kërkon të ndalojnë ose gjithçka do të ketë pasoja ligjore.
Postimi i Klea Prengës:
“Ju që vazhdoni të më përfshini në një skandal me të cilin nuk kam asnjë lidhje, jeni fundërrina dhe të sëmurë mendorë. Dua të sqaroj publikisht se unë ndodhem në Angli dhe nuk kam aspak lidhje me situatën e ndodhur në natën e ndërrimit të viteve.
Para se videoja të publikohej, më ka ardhur një mesazh më datë 30, ku më është dërguar qartë dhe vetë videoja. Kjo tregon se kjo situatë është e sajuar qëllimisht për të më përfshirë në një histori që nuk më takon. Pas publikimit të videos, keni vazhduar me mesazhe kërcënuese në telefonin tim, duke shpikur histori sikur unë vetë e kam publikuar atë video. Nëse unë do të doja të publikoja diçka të tillë, do ta kisha bërë me kohë dhe nuk do të kisha nevojë për askënd. Por unë nuk e kam bërë dhe nuk e kam ndërmend ta bëj.
Këto veprime janë përpjekje të dëshpëruara për të më njollosur, por ju garantoj se nuk do të arrini asgjë. Ndaloni së ndërhyri në jetën time dhe ndaloni me faqet dhe adresat false që hapni për të përhapur gënjeshtrat tuaja.
Unë e di kush jam dhe nuk kam frikë nga intrigat tuaja të ulëta. Çdo veprim i mëtejshëm i juaji do të përballet me masa ligjore. Shikoni jetën tuaj të dështuar dhe më lini mua rehat!
Nuk ka munguar as reagimi i Antonela Berishës. Nisur nga vala e madhe e komenteve në rrjet ku shumë prej tyre janë kundër Kleas, Antonela akuzon Klean se ka përfituar nga incidenti i asaj mbrëmjeje për të ripostuar video të vjetra. Ajo shprehet se Klea është përndjekësja e vërtetë e motrës së saj dhe e ka bërë këtë për 1 vit rresht.
“Jam shumë e lumtur që ka ardhur dita që e gjithë Shqipëria të mësojë të vërtetën time dhe të motrës time, dhe pse në pamundësi për t’u prononcuar për një kohë të gjatë, për shkak të procesit gjyqësor dhe hetimit që është akoma i hapur, por dhe për të mos e denigruar personin në fjalë publikisht për çështje personale dhe private. E vërteta vonon por del gjithmonë në dritë! I njëjti person që 2 ditët e fundit ka xhiruar në rrjete sociale videot e saj të vjetra duke i shitur për video të tanishme, për të përfituar famë dhe vëmendje nga incidenti i natës së ndërrimit të viteve dhe për të vazhduar në mënyrë sistematike përndjekjen dhe dhunën psikologjike ndaj motrës time, është i njëjti person që e ka bërë këtë lloj përndjekjeje për 1 vit rresht, para dhe pas sulmit.”
Sipas saj, Klea i ka përmendur vazhdimisht Marielës fëmijën e familjen. Ajo e bën përgjegjëse atë për dhunën që pësoi për shkak se përndiqte dhe sulmonte vazhdimisht Marielën.
“Duke u përpjekur për të disatën herë t’i bëjë shqiptarët për budallenj, kjo vajzë ka shpërndarë video të vjetra të bëra nga celulari dhe dora e saj dhe në të njëjtën kohë ngre spekulime dhe akuza sikur i ka postuar dikush tjetër. Këtë lloj përndjekjeje, këtë lloj sulmi pasiv-agresiv me adresa false, me foto dhe video kjo vajzë e ka bërë në mënyrë sistematike ndaj motrës time, duke i përmendur fëmijën, familjen dhe çdo gjë që ka të shenjtë. Arsyeja pse gjërat shkuan deri aty ku shkuan nuk është tradhtia e bashkëshortit, por sulmet dhe ngacmimet e njëpasnjëshme që vajza në fjalë i ka bërë motrës sime. Jam e lumtur që ka ardhur dita që shqiptarët të shohin me sytë e tyre atë që motra ime ka jetuar çdo ditë.”
Antonela shton se motra e saj s’ka qenë në dijeni të tradhtisë. Ajo ka marrë vazhdimisht mesazhe e ofendime që pretendohen se i janë dërguar nga Klea derisa ka ardhur momenti i sulmit ndaj kësaj të fundit. Antonela thotë se reagimi i mësipërm i Klea Prengës është tentativë mashtrimi.
“Kjo vajzë për shumë muaj ka luajtur me ndjenjat dhe emocionet e shqiptarëve, duke luajtur viktimën kur në fakt është ajo predatorja, sulmuesja dhe përndjekësja. Motra ime nuk ka qenë në dijeni fare të tradhtisë kur i kanë ardhur SMS nga vetë vajza në fjalë (me adresa false) që ‘burrin e ke në filan vend me filanen, ti nuk ke familje, djalin e ke kopil se nuk ke burrë’, etj. Vetëm kush është nënë e di se çfarë do të thotë! Motra ime nuk ka reaguar për muaj e për muaj të tërë dhe ka duruar provokimet e sulmet e saj online, derisa ka shpërthyer nga gjendja e rënduar psikologjike. Pas ngjarjes që ndodhi mes nesh, vajza në fjalë ka vazhduar në mënyrë sistematike pa u ndalur sulmin me adresa false, duke përfituar dhe nga mbështetja publike që iu bë, duke na linçuar dhe denigruar publikisht, përveç kërcënimeve në privat. Siç po e shikoni dhe vetë, ky ishte sulmi i radhës nga ana e saj, tentativa e saj e radhës për të mashtruar opinionin publik.”
Sërish, Antonela fajëson Klean për gjendjen e së motrës dhe thotë se ajo është e aftë të bëjë gjithçka për qëllimet e saj. Më tej, shpreh çlirimin që “e vërteta del në shesh”. Në asnjë moment, ajo nuk përmend se gjatë kësaj kohe, të dyja të jenë përpjekur të denoncojnë Klean për përndjekje përpara se situata të përshkallëzonte në dhunë e shpërfytyrimin e 23-vjeçares.
“Motra ime është një person privat, një person që nuk do famë, një person i rezervuar që shikon terezinë e saj dhe nuk i bie askujt në qafë, të gjithë ata që e njohin e dinë. Është një nënë që si të gjitha nënat në këtë botë do dëshironte të rrisë fëmijët me babain biologjik, dhe një person i përkushtuar ndaj familjes. Është për të ardhur keq deri ku e ka çuar motrën time kjo vajzë! Klea Prenga është nga ato fundërrina të gjinisë femërore që në jetë janë mësuar të ecin vetëm me dredhi, me mashtrime, manipulime, dhe duke përdorur vetëm pamjen e jashtme si kartë të vetme. Klea Prenga është nga ato vajza që nuk njohin moral, familje, norma, as kufi. Që janë të afta të bëjnë gjithçka për qëllimet e tyre. Faleminderit Zot që nuk kemi pasur nevojë ta mbrojmë veten me deklarata sepse e vërteta del në shesh herët apo vonë, dhe uroj që të gjithë ata që kanë mbështetur këtë lloj mashtrueseje dhe manipulueseje të mos u takojë fat kurrë në jetë të kenë të bëjnë me 1 Klea Prenga!“
Në fund, ajo ndan edhe një foto krah së motrës dhe thotë se “ka vendosur gjithçka në lojë” vetëm për motrën.
“Unë dhe motra ime jemi rritur në vështirësi dhe në halle që na kanë lidhur me njëra-tjetrën, që na kanë bërë të kuptojmë vlerën e familjes dhe motrës në veçanti. Në gjithë këtë ngjarje, unë kam vendosur në lojë imazhin tim publik, karrierën time në televizion, suksesin tim në punë dhe në jetë, çdo gjë timen vetëm për motrën time. Jam e sigurt që çdo vajzë që po më lexon dhe ka 1 motër, i kupton shumë mirë ndjesitë e mia. Lum ato vajza që Zoti i ka gëzuar me 1 motër! Jam falenderuese për çdo vështirësi, çdo hall, që kemi kaluar dhe të premtoj që s’ta lëshoj dorën kurrë!”