Janë të dyja në karrierë, të suksesshme, të famshme dhe pjesë e ekranit që dikur edhe e kanë ndarë bashkë, por raporti i tyre ka shpërfaqur gjithnjë modelin sa bukur është të kesh një motër.
Marina dhe Luana Vjollca s’kanë munguar asnjëherë në sukseset e njëra-tjetrës, fillimet e reja apo arritjet por edhe nga rrjetet sociale është e lehtë të shihet sa kohë shpenzojnë bashkë.
Në podcast-in “Inspire” nga Alketa Vejsiu, Marina tregon se janë gjithnjë telefonata e parë e njëra-tjetrës për çdo rast. Ato e dinë mirë që momentet së bashku bëhen virale, ndaj një projekti të tillë duket se s’do e kundërshtonin.
-Luana është telefonata jote e parë dhe ti telefonata e saj e parë?
Marina Vjollca: Gjithmonë, për të dyja rastet, si për mirë, si për keq jemi ‘Luana ke kohë të flasim?’ Luana më bën një vërejtje që më thotë ‘Marina kur është në punë nuk ta hap telefonin, kur ta hap thotë ke diçka urgjente apo të vazhdoj punë’, nëse është urgjente dal dhe flas, nëse është thjesht për bisedë me njëra-tjetrën, e konsumojmë më vonë, por jemi telefonata e parë e njëra-tjetrës për të gjitha rastet.
-Do të bëni ndonjëherë një program të dyja, e mendoni?
Marina Vjollca: Pse jo?
-Jeni sa të ngjashme, edhe të ndryshme por…
Marina Vjollca: Po, por kjo kimia që kemi me njëra-tjetrën, kuptohemi me sy dhe prandaj ecin gjithnjë shumë mirë kur ne jemi të dyja në ekran apo në daljet tona sepse e kemi me shikim, momenti yt, momenti im.
Sa për Luanën, për të gjithë kureshtarët, Marina u shpreh se po punon për diçka që do ta sjellë shumë shpejt, por motra e madhe s’e ka ende lejen për ta zbuluar.