Efi Dhedhes dhe Kiara Tito kanë qenë mikesha shumë të mira – miqësi kjo e krijuar brenda BBV, ku po në të njëjtin format u “kris” me hyrjen për herë të dytë të vajzave.
E mesa duket, një tjetër format në Top-Channel do t’i vendosë ato përballë njëra-tjetrës. Bëhet fjalë pikërisht për spektalin “Dancing with the stars Albania”, i cili pritet të nisë me fillimin e sezonit të ri televiziv.
Teksa Efi Dhedhes është konfirmuar që do të jetë pjesë e kastit të “DWTSA 2”, të njëjtat fjalë qarkullojnë edhe për moderatoren Kiara Tito.
Vet moderatorja në një intervistë para pak kohësh, deklaroi se do të jetë pjesë e një formati të ri në Top-Channel, për të cilin ajo u shpreh shumë entuziaste dhe kjo deklaratë, sikur i konfirmon edhe më shumë zërat për pjesëmarrjen e Kiarës në spektaklin e kërcimit, pasi për të nuk do të ishte hera e parë që merr pjesë në një format të tillë, ndaj dhe entuziasmi është i kuptueshëm.
Më herët, Kiara Tito ka qenë një ndër konkurrentet favorite për fitore, në “Dance with me Albania”, një format i ngjashëm me “Dancing with the stars Albania”, ku partner kishte Sazan Gurin.
Ndërsa për sa i përket “DWTSA”, jemi kuriozë të shohim Kiarën dhe Efin përballë njëra-tjetrës, në një tjetër dimension – atë të kërcimit. Të gjithë e dimë se si shkoi rrjedha e marrëdhënies së tyre, ndërsa nuk dimë se si vijon të jetë ajo sot, ndonëse nuk kemi parë asnjë afrimitet mes vajzave, përveç faktit që vazhdojnë të ndiqen në Instagram.
Nga ana tjetër, Efi nuk e ka ndalur në asnjë moment mbështetjen për Luizin, partnerin e Kiarës, në projektet e tij të reja, ndërsa për vet moderatoren nuk ka bërë asnjë reagim lidhur me projektet e saj.
Kështu që në këtë pikë, na mbetet vetëm të presim startimin e “DWTSA” për të mësuar më tepër!