E larguar nga ekrani prej më shumë se një viti, Luana Vjollca do të kthehet sërish, si moderatore e një tjetër reality show.
Burime të sigurta për “Zoom.al” tregojnë se Vjollca s’do të rishfaqet as në Top Channel e as në TVKlan, por në Vizion Plus, ku i kanë besuar spektaklin e “Ferma VIP”.
Luana do të përflitej kohë më parë për drejtimin e Big Brother VIP Albania, pas largimit të Arbana Osmanit, por thashethemet ranë poshtë, kur vetë Luana njoftoi ikjen nga TCH. Për herë të parë pas shumë vitesh, Luana u zhvendos nga Topi në televizionin rival TVKlan, me dy programe të ndryshme; “Love Island” dhe “ZemërLuana”. Në harkun e dy viteve, Luana mbylli dhe bashkëpunimin e saj me TVKlan.


Që atëherë, ajo ka publikuar disa këngë, por asnjë projekt televiziv apo njoftime për to. Së fundmi, Luana është bërë pjesë edhe e tregut të modës, me një linjë të veshjeve, të quajtur “Lulu”.

Po të njëjtat burime tregojnë se Luana Vjollca është emri i konfirmuar nga produksioni i Ferma VIP për sezonin e dytë, ndërsa detaje të tjera mbeten ende konfidenciale. Sezoni i parë i Ferma VIP u drejtua nga Fjoralba Ponari dhe Besart Kallaku.
Përveç emrit të Luana Vjollcës, nuk dihet asnjë nga emrat që do të jetë banor i Fermës.