Mbrëmjen që lamë pas, kudo në rrjet qarkulloi lajmi që aktori dhe profesori Genc Fuga ishte në gjendje kritike, si pasojë e një goditjeje në tru për të cilin kreu një ndërhyrje kirurgjikale. Shuma e kërkuar për operacionin ishte 19mijë euro.
Në pamundësi të pagesës së kësaj shume, ishte bashkëshortja e Gencit, Eni Jani gjithashtu aktore, e cila kërkoi ndihmën e njerëzve përmes një postimi, i cili qarkulloi kudo brenda pak minutash.
“Nuk qenka e lehtë, por në këto momente e kam domosdoshmëri. Genci po kalon një periudhë të vështirë. Ka pësuar një goditje në tru dhe në këto momente po kryen një ndërhyrje në spitalin amerikan. Do i lutesha të gjithë punonjësve të RTSH nëse munden dhe kush mundet të ofrojë një kontribut prej 200mijë lekësh të rinj për të pasur mundësinë të kem shumën prej 19mijë euro të operacionit. Ndjesë dhe konsideratë…” – ka shkruar Eni.
Nga ky moment, për aktorin u hap një llogari “GoFundMe” , ku kontribuan shumë njerëz, publikë e jopublikë, duke bërë të mundur që shuma e kërkuar të arrihej brenda një ore nga momenti i hapjes.
Së fundmi, llogaria e hapur për Gencin është mbyllur, duke arritur në pak orë totalin prej 43,400 euro, duke treguar edhe një herë se bashkë jemi të fortë.
Përmes një postimi të dytë, aktorja Eni Jani ka njoftuar se llogaria është mbyllur, shuma është arrirë dhe se është falenderuese kundrejt çdokujt që e ka ndihmuar Gencin në këtë periudhë të vështirë për të.
” Falenderoj me zemër së pari ekipin e spitalit Amerikan për përkushtimin dhe profesionalizmin. Falenderoj çdo njërin nga ju për suportin dhe mbështetjen, për cdo fjalë dhe kontribut. Shuma u sigurua! Faleminderit nga zemra përsëri!” – shkruan Eni.
Tani na mbetet veçse ti urojmë aktorit Genc Fuga shërim sa më të shpejtë dhe mirënjohje për artin e tij ndër vite. 🙂
Sa bukur kur të gjithë bëhen bashkë për kauza të tilla! ❤️