Ndërsa premiera e filmit “Në kuadër të dashurisë”, do të shfaqet më datë 9 Tetor, në Pallatin e Kongreseve dhe më pas do të vijojë edhe në datat 10 dhe 11Tetor, kurioziteti i publikut është tepër i madh për të parë filmin, interpretimin e parë si aktor të Luiz Ejllit si dhe zhvillimin e marrëdhënies së tij me aktoren tjetër protagoniste, Olta Gixhari.
Mirëpo, një tjetër personazh mjaft i rëndësishëm në film është edhe Sara Hoxha, që do të luajë rolin e motrës së Oltës.
Për të folur pak më shumë rreth filmit, ka qenë i ftuar sot në “Shqipëria Live”, një nga aktorët e filmit, Aleksandër Grami, i cili ka zbuluar pak më tepër detaje.
Përpos Luizit ndër personazhet që nuk janë të fushës, ai është shprehur se Sara Hoxha ka qenë një personazh që e ka surprizuar me interpretimin e saj.
“Sara Hoxha më ka surprizuar me interpretimin. Ishte e thjeshtë, organike dhe i shkonte shumë roli që ka.” – ka thënë Aleksandri.
Gjithashtu, moderatorja e programit u shpreh se nga informacionet që ka dhe ka marrë vesh, Sara Hoxha ka shkëlqyer si aktore në rolin e saj.
Epo, me sa duket përveçse një kërcimtare shumë e mirë sikurse e pamë në “Dancing with the stars Albania 1” prej nga u shpall fituese, edhe aktrimi është një tjetër pikë e fortë e Sarës dhe ne jemi shumë kuriozë t’a shohim tashmë si Aria. (personazhi i saj në film)