Kanë kaluar disa ditë nga premiera e filmit “Në kuadër të dashurisë”, e megjithatë vazhdon të mbetet ende në vëmendjen e mediave nata e premierës.
Lidhur me këtë, gazetari Arben Rrozhani ka shkruar një ktitikë lidhur me filmin, ku sipas tij ishte veçse një “zgjatim i lojës boshe, degjeneruese e të rreme të BBV”.
Gjithashtu, gazetari është ndalur te aktorët kryesorë mes rreshtash, ndërsa thotë se u lanë aktorët e vërtetë në hije, dhe shkëlqimi iu dha modeleve që nuk kanë asgjë për të dhënë në shoqëri.
“Ndaj mbrëmë, Ndriçim Xhepa kaloi si pa u vënë re, ndërsa yjet e tapetit ishin një këngëtɑɾ/aktor/reklamaxhi që u tregon vendin grave me dhunë, një ish-aktore teatri që shijon paratë e burrit jɑshtë Shqipërisë, një vajzë që ende e di se Skënderbeu kɑ lindur në vitin 1959, apo një imazh ekranesh që fitoi garën se kush zhvishej më shumë.” – shprehet gazetari, ndër të tjera.
Shkrimi i plotë i gazetarit
Në kuadër të histerisë – Nga Arben Rrozhani*
Me një ceremoni madhështore të paralajmëruar prej disa javësh, me plane të gjera nga ajri dhe toka, me një tapet të kuq që mbulonte oborrin e Pallatit të Kongreseve, me dhjetra figura që kanë mbushur gossip-et, lajmet rozë dhe ato me pullë të kuqe, mbrëmë ishte premiera e një filmi të prodhuar nga televizioni kombëtar “Top Channel”.
Më shumë se një film, “Në kuadër të dashurisë” ishte pompuar si “bishti” i “kometës” që po vinte drejt Tokës, pjesëmarrjes në kast të personazheve që fituan apo ishin më të spikaturit të edicionit të vjetshëm të BBV-së, si Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari dhe pas 100 vendeve bosh vinin ca aktorë të tjerë në role episodike si Ndriçim Xhepa, apo Zamira Kita, aktorë të njohur të skenës dhe ekranit shqiptar, brezit të dytë të atyre që bënë historinë e filmografisë shqiptare të viteve të real-socit.
Jo këta të fundit, por ata të parët, ishin edhe yjet e mbrëmjes, të adhuruar prej qisa qindra njerëzish që prisnin jashtë për të bërë foto, marrë autografe dhe pare/prekur nga afër idhujt e tyre.
Bërja e një filmi është një lajm i mirë dhe i gëzueshëm për çdo vend, veçanërisht për Shqipërinë e varfër, e cila prej tre dekadash ka nxjerrë vetëm disa prodhime me skenare klishe të gjakmarrjes apo eksodit, por duke iu ikur temave të nxehta që kanë përcëlluar shoqërinë shqiptare.
Edhe angazhimi i artistëve/aktorëve të njohur është një vlerë e shtuar për artin, që ka nevojë për lojën, staturat dhe profesionalizmin e tyre që u ka rezistuar kohërave, siç është i mirënjohuri Ndriçim Xhepa. Por jo kur ata bëhen pjesë e nismave private, ku më shumë peshon show i gossip-eve se sa arti i mirëfilltë dhe ku ata, për hir të pjesëmarrjes që të mban gjallë, apo të shpërblimit të nevojshëm monetar, bëhen bashkëpunëtorë në vrasjen e artit dhe ngritjen në piedestal të antivlerave.
Mëse tre vite më pare, aktori i humorit, Ermal Mamaqi, bëri reklamë të madhe me filmin e tij “I Love Tropoja”, ku merrnin pjesë, veç tij, edhe aktorë të njohur shqiptarë dhe madje edhe kryeministri i vendit që kishte vënë paruke me flokë të gjata dhe një lente në syrin e majtë.
Filmi i pompua po aq shumë sa edhe ai që u dha mbrëmë, por mbi të u sulën tropojanët që u ndjenë të fyer pse në një nga episode që ndodh në Tropojë, sipas skenarit, vendasit për ta nderuar mikun e tyre, i vendosin vajzat e shtëpisë për të fjetur me të.
Mamaqi bëri edhe një film tjetër pas këtij, me një këngëtare të dashur për brezin e ri, por asgjë nuk ka mbetur në kujtesën kolektive, aq më shumë në analet e artit.
E ashtuquajtura komedi romantike e prezantuar mbrëmë i ka të gjitha shanset që të ketë të njëjtin fat. Është zgjatim i lojës boshe, vanitoze, të rreme dhe degjeneruese që ofron BBV për disa javë, shpërqendrimi i vëmendjes nga problemet e rënda social-ekonomike që ka vendi, bombardimi i vulgut me idhuj të rremë dhe mbajtja në vend e një atmosfere tallavaje që i volit pushtetit politik të zhytur në krim dhe korrupsion.
Ndaj mbrëmë, Ndriçim Xhepa kaloi si pa u vënë re, ndërsa yjet e tapetit ishin një këngëtar/aktor/reklamaxhi që u tregon vendin grave me dhunë, një ish-aktore teatri që shijon paratë e burrit jashtë Shqipërisë, një vajzë që ende e di se Skënderbeu ka lindur në vitin 1959, apo një imazh ekranesh që fitoi garën se kush zhvishej më shumë.
Këta janë modelet që u ofrohen sot shqiptarëve, pa dallim moshe, që nuk kanë asgjë për t’i dhënë shoqërisë shqiptare, përveç marrjes së mendve, deri në histeri.
Burimi i lajmit / https://boldnews.al/2023/10/10/ne-kuader-te-histerise/