Ndryshe nga viti i shkuar, Kepi këtë vit ka ardhur me një formulë krejt ndryshe. Përveç emrit, që nga “Kepi i Tundimeve” u kthye në “Kepin e Vipave”, ndryshe nga viti i shkuar ku konkurrentët duhet t’i rezistonin tundimit për të mos u bërë çift, këtë vit nuk ka asnjë rregull të përcaktuar për asnjë. Pra, është shumë e thjeshtë – konkurrentët VIP mund të bëjnë çfarë të duan në pushimet e tyre.
Kjo risi, ka sjellë një pikëpyetje për publikun. A do të ketë romancë në Kep?? Këtë nuk mund t’a themi me siguri, por gjasat janë që po dhe si për t’i vendosur pikën kësaj çështjeje, që në puntatën e parë kanë nisur “shkëndijat” e para.
Konkurrentët e këtij sezoni janë: Ronaldo Sharka, Keisi Medini, Jori Delli, Mevlan Shaba, Livia Brunga, Shpat Kërleshi, Gerti Koxha dhe Erisa Haxhiu.
Cilët prej këtyre personazheve pritet të krijojnë romanca??
Në episodin e parë, menjëherë ra në sy afrimiteti mes Livias dhe Mevlanit dhe ngacmimet e para me njëri-tjetrin. Gjithashtu Livia, ish-konkurrentja e “Për’puthen” deklaroi se nuk është vetëm një, por dy meshkuj që ka disa situata, me njërin prej të cilëve ka pasur një histori të vjetër.
Ndoshta bëhet fjalë për Gertin, duke qenë se të dy vijnë nga i njëjti vend, ndërsa personi me të cilin ajo tha se duhet parë si do të shkojë njohja e tyre në “Kepin e Vipave” mund të jetë pikërisht Mevlani.
Një romancë tjetër e mundshme, mund të jetë ajo e ish-banorit të BBV, Shpat Kërleshi me Erisa Haxhiun, e cila është modele dhe miss.
Ndonëse ata deklaruan se kanë një miqësi shumë të mirë jashtë me njëri-tjetrin, konkurrentët e “Kepit të Vipave”, kryesisht Ronaldo, Jori dhe Keisi e vunë re afrimitetin e tyre më shumë se sa shoqëror dhe jo vetëm ata por edhe publiku mendon njëlloj.
Sa i përket një romance tjetër, e cila u simpatizua shumë nga publiku si e tillë që në BBV, është ajo mes Jorit dhe Gertit, të cilët gjithashtu kanë nisur të pyesin dhe të merren me jetën private të njëri-tjetrit.
Do të mbetet për t’u parë në vijim nëse pas këtyre “shkëndijave” të para, do të ketë diçka më shumë apo do të ngelen thjesht në kuadrin e ngacmimeve të vogla, por diçka është e sigurt – me ose pa romanca, “Kepi i Vipave” menjëherë ka marrë vëmendjen e publikut duke u kthyer në emisionin më të ndjekur veror dhe si i tillë premton shumë të papritura e surpriza!! 🙂