Gazetari i njohur Bledi Mane ka folur si asnjëherë më parë për jetën e tij personale ku ka hapur zemrën dhe ka rrëfyer kohën kur ishte i dënuar në burgun 313 për pashaportë false.
Mes lotësh, ish-banori i Big Brother VIP2, tregoi se ndihej keq kur shikone prindërit e tij të cilët vinin e vizitionin me kokën ulur. Teksa ishte i ftuar në ‘Se Luan Topi’, Mane tregoi se i ka premtuar prindërve që do i bëjë krenarë.
“Prindërit e mi vinin kokulur në dyert e burgut 313 edhe gjithmonë iknin më të krusur se kurrë dhe gjithnjë e më shumë më bluante në vetvete kur do vijë dita që këta do kthehen edhe një herë në lavdinë e dikurshme. Fillova t’i bëja krenarë edhe atje në burg, isha i vetmi i burgosur që punoja në bibliotekë, kisha hapur një kurs të gjuhës shqipe sepse disa të rinj romë të komunitetit romë nga Fushë-Kruja u mësoja Abetaren dhe disa të tjerë u mësoja anglishten. Pra edhe koha ime në burg nuk ishte një kohë ku bëheshin plane djallëzore për të dalë jashtë dhe për t’u hakmarrë.
Pra gjithmonë jam munduar të tregohem racional, kështu që besoj që është hera e parë që unë u premtoj prindërve që do jem ai djalë që do ndiheni krenarë. Nëna dhe babai im më thonë gjithmonë që t’i duhet të martohesh se u rrite dhe ne nuk vdesim pa u martuar ti. Unë i them që unë do martohem vonë që ju të jetoni gjatë. Unë nuk e kam zakon që të qaj nëpër studio televizive, është hera e parë, nuk e di çfarë më keni bërë sot. Nuk kam qarë as në dhomën e rrëfimit në Big Brother” – rrëfeu ai.