Policia e Durrësit ka vënë në pranga ish deputetin Mark Frroku, partnerin e aktores së njohur, Rudina Dembacaj.
Ky i fundit është arrestuar pas hetimeve për përplasjen që ndodhi ditën e djeshme në zonën e Kepit të Rodonit, ku përfaqësues të kishës u përplasën me disa banorë, për pronësinë e tokës në zonës bregdetare.
Ish-deputeti Frroku ka qene i pranishëm në vendngjarje si përfaqësues i kishës katolike dhe bashkë me të janë ngritur akuza edhe ndaj disa personave të tjerë.
Ditën e djeshme në zonën e Kepit të Rodonit, disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., Mark Frroku., M. L. dhe P. D.
Sipas asaj që njoftoi policia, konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.
Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.
Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.