“Nuk përmbush detyrimet ekonomike ndaj djalit”, me këtë akuzë këngëtarja Jonida Maliqi u paraqit një ditë më parë në dyert e Gjykatës së Tiranës ku dhe paditi ish-bashkëshortin e saj, Gent Prizreni.
8 vite pas divorcit me këtë të fundit, Jonida e shoqëruar nga avokati i saj shkoi në Gjykatë dhe kërkoi që ish-bashkëshorti i saj të përmbushë detyrimet ekonomike ndaj djalit të tyre, Danit.
Ish-çifti i bashkëshortëve përmes një marrëveshje të firmosur kanë rënë dakord që Gent Prizreni duhet të paguajë shumën prej 2 mijë euro në muaj për të birin, i cili ka nevoja për përkujdesje të veçantë për shkak të gjendjes shëndetësore.
Nuk vonoi shumë dhe reagimi i Gent Prizrenit erdhi. Ai vendosi që t’i përgjigjej publikisht ish-bashkëshortes së tij dhe postoi faturat e dy muajve të fundit, konkretisht muajt tetor dhe nëntor të 2024 ku dhe tregonte se ashtu si dhe është përpiluar në marrëveshje shuma prej 2000 euro është depozituar në llogarinë e nënës së djalit të tij.
Jonida ka vendosur ta thotë hapur të vërtetën e saj.
“Nuk kam dashur kurrë të jem në media për këto tema, por meqë kjo nisi dhe u censurua nga shumë mediume, mendoj që është mirë të dihet e vërteta që më çoi në dyert e gjykatësunë do të besoj dhe luftoj deri ditën e fundit për tim bir!”, shkruan ajo në një postim në InstaStory ku ka bashkëngjitur një artikull.
E kontaktuar nga Newsbomb.al, Jonida ka vendosur në dispozicion derdhjet e bëra në llogarinë e saj nga Gent Prizreni të cilat i përkasin periudhës tetor 2022-mars 2023.
Siç duket, ish-partneri dhe babai i djalit të saj nuk i është përmbajtur marrëveshjes së nënshkruar pas zgjidhjes së martesës. Ndryshe nga sa kishin rënë dakord ai nuk ka depozituar shumën prej 2000 euro për pensionin ushqimor të së birit, por e ka ulur duke e çuar në 1500 euro.
Sipas këngëtares shuma e rënë dakord është paguar nga ish-partneri vitet e para dhe më pas filloi të paguante më pak, duke pretenduar se është një shumë e konsiderueshme për ushqimin e të birit.
Ndër të tjera Jonida bën me dije se në momentin që vogëlushi i tyre, Dan shkoi në shkollë ata ranë dakord që të ndanin përgjysmë pagesën vjetore të shkollimit të djalit të tyre, bazuar kjo dhe në marrëveshjen e firmosur në zgjidhjen e martesës ku specifikohej që “shpenzimet e ardhshme do të ndaheshin”.
“Në kohën kur është bërë marrëveshja djali nuk shkonte në shkollë. Marrëveshja nuk ka asgjë për shkollën dhe kishim rënë dakord që shpenzimet e ardhshme të djalit do të ndaheshin“,tregon Jonida.
Por, sipas këngëtares edhe kjo marrëveshje nuk është respektuar nga ish-partneri i saj duke theksuar se përgjatë gjithë këtyre viteve ka qenë ajo e cila është kujdesur për pagesën e shkollës të së birit dhe babai i tij ka kontribuar vetëm dy vitet e para dhe më pas e ka ndërprerë.
Madje, ajo tregon se ai nuk është përgjigjur as për terapitë e së birit për të cilat, njëjtë si dhe për detyrimet e tjera i është dashur që të përballet e vetme. Një indinjatë Jonida ka dhe për institucionet e drejtësisë. Ndonëse ka trokitur në dyert e përmbaruesve ata nuk kanë ekzekutuar vendimin e Gjykatës për të cilën vetë Gent Prizreni ka rënë dakord.
Kjo situatë e përsëritur prej vitesh ka bërë që Jonida Maliqi të shkojë në Gjykatën e Tiranës për të kërkuar drejtësi. Pasi ashtu si dhe pohoi, ky është një realitet me të cilin shumë nëna shqiptare përballen dhe duhet të fillojë që drejtësia të vendoset në vend dhe të dyja palët të ndërmarrin përgjegjësitë që u takon.