“Bashkimi bën fuqinë!” Kjo shprehje merr shumë kuptim te vëllezërit Donald e Romeo Veshaj, të cilët prej shumë vitesh argëtojnë publikun me humorin e tyre.
Pas daljes së Donaldit nga “Big Brother Vip Albania 1”, dyshes i është besuar një emisioni “Më lër të flas” në Top Channel – një emision mjaft i suksesshëm i cili mbylli ditën e djeshme sezonin e tij të dytë.
Gjatë pjesës së parë të emisionit, në një debat lidhur me aktrimin në Shqipëri dikur dhe sot, binjakët Veshaj kishin të ftuar në panel kolegët e tyre, mes të cilëve edhe Albani Bogdo e Ledio Lako.
Gjatë diskutimit, të ftuarit po flisnin se si shumë aktorë sot, nuk janë aktorë të dalë nga Akademia e megjithatë e kanë pozicionuar veten e tyre shumë mirë në tregun shqiptar të ‘entertainment’.
Pjesë nga biseda:
Romeo: Sa e vështirë është që një aktor humori të bëjë dramë dhe një aktor drame të bëjë humor?
Albano Bogdo: Kjo është pyetja tipike që bën një aktor që nuk ka mbaruar akademinë. (Referuar Romeos)
Ledio Lako: Dhe që nuk e ka fituar akademinë.
Donaldi: Ose e fitoi dhe e la!
Meqë gjithë paneli “iu vu kundër”, Romeo u përpoq të dilte nga situata duke u kapur te fjalia e Donaldit dhe tha se ndoshta e fitoi dhe e la vet, por pikërisht këtu Donaldi vazhdoi të fliste edhe më shumë duke treguar që nuk e ka lënë, por thjesht nuk e ka fituar dot kurrë, edhe pse ka shumë vite në skenë si aktor humori.
Donald Veshaj: Romeo përshembull është i paaftë! Është i paaftë se ka që 17 vjeç në televizion dhe nuk e ka fituar dot akademinë.
Sigurisht që Romeo nuk e mori fare për keq këtë deklaratë të Donaldit, pasi me apo pa Akademi, të dy vëllezërit janë një ndër dyshet e preferuara të humorit për publikun.