Një tjetër shqetësim që është ngritur së fundmi, është futja e drogës xhelatinoze në treg e sidmos në gjimnaze. Kjo lloj droge ka ngritur shqetësimin e ekspertëve, të cilët shprehen se është vdekjeprurëse.
Bëhet fjalë për një lloj droge, e cila është e sheqerosur dhe shkrihet në gojë, në trajtë xhelatine, e cila ka efektin e njëjtë si konsumi i një cigareje kanabis.
Për këtë, janë intervistuar disa nxënës të një gjimnazi në vend. Gjimnazistë shprehen se ka rreth dy vite që ka nisur shpërndarja e drogës xhelatinoze dhe po përhapet gjithnjë e më tepër.
Sakaq, dëshmia e një nxënësi ka tronditur jo pak median dhe opinionin publik. Nxënësi shprehet se jo vetëm ata, por edhe mësuesit janë konsumatorë, kryesisht të kokainës. Njëkohësisht edhe shpërndarës, i riu shprehet se punën ua bëjnë zyshat, pasi ato paguajnë për kokainë, ndërsa nxënësit konsumojnë vetëm hashash.
“Hashash po, këto tjerat jo. Kokaina pihet më shumë, e përdorin më shumë këto të shkollave, sidomos zyshat. Merreni vetëm me nxënësit, por zyshat na bëjnë punë neve, na japin 200mijë lekë (të vjetra) në ditë zyshat ne, edhe presorat, sidomos i fiskulturës. – është shprehur i riu, teksa kjo deklaratë ka tronditur rrjetin për atë çfarë po ndodh realisht në shkolla sot.