Alban Ramosaj ka lajmëruar papritur se po largohet nga muzika. Përmes një letre të gjatë artisti ka dhënë njoftimin duke u dhënë “lamtumirën” fansave të këngëve të tij.
Këtë vendim, aspak të lehtë, ai e ka lidhur me veten.
‘Së fundmi jam ndeshur shpesh me sfidën e shprehjes autentike artistike. Ndikimet e jashtme kanë pushtuar ngadalë, hap pas hapi hapësirën time kreative, kështu duke fryer fort mbi flaët e qiriut që më dha motiv. Ajo që nisi si një ëndërr, një pasion i palodhur, ajo që më shoqëronte nga agimi deri në perëndim, ndjej që pas gati dhjetë vitesh është duke u zbehur. Fusha e betejës në të cilën gjendem, ka lënë fëmijën tim të brendshëm të plagosur dhe të ndjeshëm’, shprehet ai mes tjerash.
Albani ka vendosur që këngët e tij të mos i fshijë, duke i lënë të qasshme për fansat e muzikës së tij teksa nuk ka precizuar nëse bëhet fjalë për një lamtumirë përfundimtare apo për një mirupafshim deri në takimin e radhës.