Mëngjesin e sotëm Kosova u trondit nga një rast tragjik që ndodhi në një hotel në komunën e Graçanicës.
Artila Kameri, 34 vjeçare nga Gjakova, dyshohet se humbi jetën pasi është hedhur nga kati i dytë i hotelit në të cilin po qëndronte me një mashkull.
Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive nga ngjarja e rëndë, ku sipas informacioneve të para, e ndjera ishte e shoqëruar në hotel nga një person.
Burimet bëjnë me dije se bëhet fjalë për Asdren Begolli, 32-vjeçar nga Peja.
Por si ndodhi ngjarja tragjike?
Rreth orës 03:30 tashmë e ndjera, Artila Kameri dhe Asdren Begolli, dyshohet të jenë përfshirë në një konflikt verbal me njëri-tjetrin.
Si rrjedhojë, 34-vjeçarja dyshohet se ka kërcyer nga tarraca e hotelit dhe si pasojë ka marrë lëndime të rënda trupore që rezultuan të jenë fatale për të.
Ekipi mjekësor i Emergjencës ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë hasur në trupin e viktimës dhe pas ekzaminimeve për shenjat vitale kanë konstatuar vdekjen e saj.
Lidhur me rastin nga Policia thanë për Sinjalin se me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Aktualisht policia në koordinim me Prokurorinë ka nisur dhe po ndërmerr të gjitha veprimet e duhura hetimore që do të ndihmonin hetimin dhe sqarimin e rastit, ndërkohë që trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, tha zëdhënësja, Flora Ahmeti.
Ndërkohë Sinjali ka kontaktuar edhe hotelin ‘Venus’ për të marrë një prononcim lidhur me rastin, mirëpo të njëjtit kanë refuzuar të flasin, duke thënë se për çdo informatë duhet të kërkohet nga Policia.
Kush është Artila Kameri?
Artila Kameri është një sipërmarrëse nga Gjakova e cila kishte në pronësi një sallon estetik në Gjakovë.
Pak më shumë se një muaj më parë, 34-vjeçarja kishte ndarë një pjesë të intervistës së saj në televizionin publik, ku ishte ftuar pasi kishte fituar vendin e katërt në kampionatin botëror të estetikës të mbajtur në Napoli të Italisë.