Në muajin shtator, lajmi se Arben Derhemi dhe Iva Korumi ishin divorcuar, u bë titull kryesor i mediave rozë. Nga asnjëri prej tyre nuk kishte pasur ndonjë deklaratë të mëhershme dhe as një lloj konfirmimi zyrtar, ndaj përhapja e këtij lajmi nuk u prit mirë as nga vet aktori.
Hamendësimet për një tradhti të mundshme si shkak e shumë spekulime të tjera, ‘u dënuan’ nga protagonisti i “Njerëz dhe Fate” përmes një deklarate të ashpër në rrjetet sociale. Pa iu referuar asnjë burimi specifik informacioni, aktori i cilësoi të gjitha si shpifje për përfitime.
Por diçka të vërtetë ka pasur. Në “Natën me Aulonën” në MCN, Arben Derhemi rrëfen se divorci ka ndodhur, po, por kjo daton dy vite më parë. Gjithçka është mbajtur larg mediave dhe atij i është dukur i çuditshëm shpërthimi i lajmit. Sa për divorcin, ishte thjesht një vendim i marrë nga të dyja palët, për arsye që ai nuk i konkretizoi.
“Është e gjitha një gënjeshtër e madhe sepse unë kam kohë që jam ndarë, kam gati dy vjet e gjysmë. Nuk e kuptoj, e gjitha ishte si me urdhër, e gjitha ishte e makinuar nga një makineri e çuditshme thashethemi, maskarallëku që nuk më bën shumë përshtypje sepse kam dëgjuar shumë gjëra për miq, shokë të mitë të cilët i njoh shumë mirë, i di shumë mirë.
Por këtë radhë ishte shumë e çuditshme sepse e kam mbajtur larg jetën time private, larg televizionit, larg revistave, larg gjithçkaje sepse është e imja dhe e atyre që kanë qenë rreth meje. Kuptohet që ish-bashkëshortja ime ka të drejtën e vet që të revoltohet për një gjë të tillë sepse duam të mbajmë diçka jashtë kësaj. U vendos një moment që ne të ndahemi dhe kaq, s’ka asgjë të çuditshme”, u shpreh Derhemi.
Kritikën e tij aktori e vijoi me RTSH dhe deklaratën e dhënë nga një gazetar në programin “Jetë shqiptare” të moderuar nga Andri Xhahu dhe Elona Jaçellari. “S’merrja vesh se çfarë kërkonte se të gënjesh në atë farë feje siç gënjente ai njeri dhe gënjente në televizion, hapur dhe një tjetër, një pseudo moderator i cili pohonte me kokë“, u shpreh Derhemi.
Më tej, në rubrikën “Ça do pish”, ai zbuloi edhe statusin e tij aktual pas këtij divorci.
“Single. Kam kaluar shumë në jetë dhe nuk më duhet asgjë, dua të shijoj veten.”, tha aktori.