Nuk ka qenë aspak e lehtë rruga e saj drejt televizionit, edhe pse, siç thotë, e ka pasur në gjen nga i ati. Ama asgjë nuk ka gjetur të shtruar, përkundrazi, ka preferuar gjithmonë të ngjitet me shkallë dhe jo me ashensor. Ndaj edhe sot është krenare për veten, me gjithçka ka arritur. Sepse ka provuar dhe është sprovuar, derisa po gëzon këtë moment në karrierën e saj.
Prej pak javësh, Xhilda Luzi i është bashkuar panelit në “Goca dhe gra”, së bashku me Rudina Dembacajn, Egla Cenon, Heidi Bacin dhe Jorida Rustemin. Asnjë prej tyre nuk njihte nga afër, por ka ditur të përshtatet shpejt dhe ka gjetur veten në tryezën ku flitet për gjithçka femërore dhe përtej.
Sot, nga “Ftesë në 5”, ajo ka se ç’të thotë për koleget e saj të reja, madje është e kujdesshme ndërsa flet për secilën prej tyre, mëson nga secila prej tyre.
Ndërsa në ekran i shfaqet secila prej kolegeve të programit, Xhilda e ka gati përgjigjen – Rudi është goca bobe, Heidi solare, Jorida profesioniste, ndërsa Egla është surpriza:
“Rudinën e kam shumë xhan, i jep gjallëri grupit, i thotë mendimet ashtu siç i ka, nuk bën kompromis, është shumë dashamirëse me grupin. Kam një marrëdhënie shumë të mirë me të. Është gocë bobe, të jep hapësirën që do.
“Heidi është solare. Me Heidin kam krijuar kimi që në ditën e reklamës, kuptoheshim me sy, jemi më të afërta me moshë, është vajzë e dashur, paqësore, e qetë, nuk do thoja indiferente, por u lë njerëzve hapësirën e vet. Fansat e Heidit janë kudo dhe kurdo. Me Heidin dal me shpesh se me të tjerat”.
“Me Joridën jam rritur. Nga dëshira dhe dashuria ime për politikën, emisionet ku ajo merrte pjesë herët, ndër të parat psikologe që dilte në programe televizive. Një brune e bukur në atë kohë, po tani një bionde. Një zonjë e shkëlqyer, profesioniste në fushën e saj, por edhe me një përgjegjësi tjetër, më të madhe. Duket e ftohtë, por kur e njeh, ka një dashamirësi të madhe”.
“Egla më ka surprizuar. Kur mora vesh që është Egla, ai uragani i “Big Brother”, thashë “bobo, kush e di ç’do bëjë”, duke menduar BIG-un. Unë, në fakt, lojën e Eglës edhe e kam kontestuar. Por kur takoj Eglën, është komplet e kundërta. është korrekte, e dashur, ka dëshirë të lërë hapësirë. E kemi diskutuar edhe këtë gjë dhe më ka thënë që “Big Brother” është tjetër gjë. Duhet ta kuptojmë edhe që ka mbaruar BIG-u. Le pastaj të shikoje komentet “ti, shoqja e Ilnisës, si pranove të shkosh në këtë panel?”. Por marrëdhëniet tona janë shumë korrekte, ne duhet të jemi profesioniste”.