“Nëse ka një shembull që kush më njeh mua, njeh edhe mamin, jam unë” – thotë panelistja e “Goca&Gra” duke qeshur ndërsa flet për të ëmën – bashkërrugëtaren e saj të përhershme; gjithmonë nga pas, në çdo provë, sfidë e ngritje.
Por jo vetëm sepse Xhilda ka qenë vajzë e vetme, por sepse e ëma zgjodhi t’i dedikohet duke mbyllur jetën e saj, pas divorcit që, për fat të keq, erdhi kur Xhilda ishte vetëm dy muajshe.
“Fëmijë e ardhur në jetë pas 10-vitesh martesë dhe, kur erdha u bëra e gjithë bota e saj, e gjithë jeta e saj dhe dedikimi i saj. Ka qenë gjithë kohën pas meje si paketë. Ku isha unë, ishte edhe mami… Ka qenë suporti im në çdo lloj gjëje dhe pa atë s’do bëja dot asgjë” – tregon Xhilda me krenari për “Ftesë në 5” duke shtuar se për të ëmën nuk ka qenë aspak e lehtë.
“… Sidomos të rritë një vajzë, e vetme. Unë kam qenë vetëm dy muajshe kur nëna dhe babi im vendosën të divorcohen, ka ndodhur menjëherë dhe në moshën 38-vjeçare mami im mbyll jetën e saj vetëm me një fëmijë dhe gjithë jetën e saj e dedikoi drejt meje”.
Megjithatë, edhe i ati ka ndikuar në rrugën e Xhildës, madje më shumë nga ajo kishte menduar, edhe pse nuk ka jetuar kurrë me të.
“Patjetër që e kam njohur. Pjesa e televizionit dhe pokitikës është nga ai. Kjo është ironia e fatit. Unë me të s’kam jetuar kurrë, po praktikisht i ngjaj nga pamja, nga karakteri, nga tipi. Edhe ai ka pasur ndikim në pjesën e televizionit. Babai ka pasur një televizion të vetin në Durrës dhe, kur je fëmijë, nuk i kupton gjërat. Unë kisha dëshirë të bëja gjërat që bënte ai, që pëlqente ai. Je si një fëmijë që do që t’i pëlqesh, sidomos kur nuk jeton me babain. Ai kishte një familje tjetër ndërkohë, por ti do t’i pëlqesh, sepse nuk e kupton që kjo gjë nuk ka ndodhur për fajin tënd dhe ti do të japësh më të mirën që të jesh fëmija që ai ta dëshirojë, të ketë kontakte dhe të jetë krenar…”, tregon Xhilda.
Në fakt, ia ka dalë. Edhe pse me kohën, me vitet, me përvojat në jetë, Xhilda e ka kuptuar që i ati dhe familja e tij gjithmonë kanë ditur të kenë një raport korrekt me të dhe nënën e saj: “Për ironi të fatit, unë jam e vetmja që kam ndjekur hapat, pasionet e tij”, thotë Xhilda Luzi.