Egli Tako ka qenë një ndër personazhet “kryefjalë” të mediave rozë përgjatë verës, për ndarjen e bujshme nga Olsi Bylyku. Ajo kishte zgjedhur të mos prononcohej deri më sot lidhur me këtë gjë kaq personale të saj. E më në fund, pas disa muajsh, Egli ka vendosur të japë një intervistë publike në “Mos i bjer me Top” me Ronaldo Sharkën dhe Erjola Docin.
“Kishte ardhur momenti të dilja dhe unë, t’i kthehem normalitetit në sytë e publikut, për të vënë dhe ca pika mbi i” – ka thënë Egli.
Sa i përket ndarjes nga aktori Olsi Bylyku, Egli është shprehur se tashmë është mirë dhe mirënjohëse për gjithë çfarë ka ndodhur.
“Jam mirë, jam okay. Kjo ka qenë periudhe ndryshe për mua, kam njohur veten. Madje jam falenderuese që ndodhi, sepse ndryshe nuk do e njihja këtë anë timen. Kam zgjedhur të them që çdo gjë ndodh për një arsye. Jam e lumtur. Edhe kur nuk jam, numëroj gjithë gjërat e mira që kam në jetë.” – ka thënë këngëtarja.
Më tej, Erjola e ka “ngacmuar” paksa Eglin, duke e pyetur a e merr malli për Olsin? “S’di ça përgjigje të jap. Kam bërë një prononcim dikur me ndjekësit e mi dhe e kam thënë që është normale të të marrë malli. Ka momente që ndihet mungesa se lidhje e konsoliduar e gjatë, 5 vite, ka momente që ndjen mall me gjithë lëmshin e ndjesive të tjera, por jam okay.” – ka treguar Egli.
Nga ana tjetër, pas ndarjes Olsi Bylyku ka publikuar vetëm këngë që flasin për ndarjen. Për këtë, është pyetur dhe Egli nga Ronaldo Sharka nëse i ka dëgjuar apo çfarë mendon për këtë. Lidhur me këtë Egli ka treguar se i ka dëgjuar këngët e Olsit, por nuk e kanë shqetësuar dhe nuk e ka gjetur veten nëpër këngët e tij.
Ndërkaq, Egli e ka përmbyllur temën e ndarjes së saj nga Olsi Bylyku me një mesazh lidhur me të, për gjithë publikun, pasi u pyet nga moderatorët nëse kishte diçka të fundit për t’i thënë dhe nëse kanë komunikuar me njëri-tjetrin.
“Jo, nuk ka ngelur asgjë që kam për t’i thënë. Nuk ka shpresë për rikthim, nuk kam pasur komunikim për këtë, komunikimi nuk ka qenë i vazhdueshëm. Kështu në përgjithësi, i jam mirënjohëse. Ai është arsyeja që unë sot jam e ftuar në këtë studio dhe që njerëzit kanë interes për mua. Jam mirënjohëse për çdo fragment e sakrificë në marrëdhënien tonë që ka qenë shumë e bukur” – është shprehur Egli.