Kryetari i Partisë së Lirisë, ish-presidenti i Republikës, Ilir Meta ka kërkuar divorcin në gjykatë nga bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.
“Pas kësaj deklarate, zonja Kryemadhi është ish-bashkëshortja ime. Dhe sot kam ndjekur edhe rrugën juridike për këtë çështje dhe kam njoftuar edhe djalin tim Besar Ilir Meta, i cili më ka thënë pak kohë më parë që kur kemi kaq shumë tensione dhe probleme me njëri-tjetrin mund të gjeni ndonjë zgjidhje me të qetë dhe unë besoj se e kam gjetur një zgjidhje”, u shpreh Meta.
Ndarja, tashmë edhe ligjërisht, ka ardhur pas një krisjeje për mbi 4 mujore, ku Meta ka jetuar i ndarë nga Kryemadhi.
Nxitës për ndarjen e prindërve të tre fëmijëve, çiftit Meta-Kryemadhi, duket se janë bërë përveç problemeve brenda Partisë së Lirisë (ish-LSI), edhe hetimet e SPAK për pasurinë e tyre.
“Monika është më afër me SPAK-un se unë. Por SPAK është një organizatë kriminale, SPAK nuk e merr dot peng Ilir Metën as përmes bashkëshortes, ish-bashkëshortes, apo fëmijëve”, deklaroi Meta në emisionin e gazetarit Çim Peka.
“Unë nuk e di se çfarë pagesash ka bërë ajo, 20 mijë euro aty, 30 mijë euro këtej. Më pyetën edhe në SPAK. Ku di gjë unë…”, deklaroi Meta.