Amarda Toska është tërhequr prej vitesh nga ekrani por lajmi i parë që dha Orinda Huta në ‘podcast’-in “Mam” është se do të ketë një rikthim të “Luftës së Nuseve”. E më pas, biseda vazhdoi e sinqertë, e çiltër në një intervistë të rrallë të Amit.
Të qenit teze i dha shijen e parë të mëmësisë, një lloj parapërgatitjeje për të mirëpritur fëmijët e saj. Pas dasmës me Ermalin, herë pas here dilnin lajme shtatzënie por asgjë nuk u konfirmua asnjëherë. Dyshimet u shtuan kur Ami mungoi në finalen e “Dancing With The Stars” që asokohe e prezantonte me shokun e saj të jetës.
Për herë të parë ajo rrëfen se po, arsyeja ka qenë shtatzënia e cila në natën finale të spektaklit kishte arritur në muajin e tretë.
Amarda Toska: Ishte fiks tremujori i “Dancing” dhe unë qëlloi që në natën finale kam qenë 3-muajshe shtatzënë.
-3-muajshe?
Amarda Toska: Po, kam qenë 3-muajshe mirëpo shtatzënia e parë nuk shkoi siç duhej.
-Ishte kjo shtatzënia e parë?
Amarda Toska: Ishte kjo shtatzënia e parë në finalen e “Dancing”, kam qenë 3-muajshe. Jeta shkonte normalisht, unë nuk u rezervova me thënë të drejtën as në aktivitetet që bëja, normalisht isha e kujdesshme por nuk rezervohesha për shkak edhe të punës, edhe jeta vazhdoi normalisht.
Nga ajo periudhë Ami ka regjistruar në kujtesë vetëm fundin dhe fillimin e ri, por kujtim i ka mbetur një lodër fëmijësh që ia ka trashëguar Joelit e Sias. Vetëm dy ditë para finales së spektaklit, u gjend para kërkesës së mjekut që të niste regjimin e shtratit ose do të rrezikonte shtatzëninë. Edhe në atë moment, garancia nuk ekzistonte por sërish kishte një mundësi për të cilën Ami është mirënjohëse që e shfrytëzoi.
Amarda Toska: Mendoj që ai ka qenë vendimi i duhur shkuan si shkuan punët sepse ndoshta do ta kisha peng, kështu që unë kam bërë vendimin e duhur. Sigurisht, u konsultova edhe me Holtën, producenten.
-Si e përjetove?
Amarda Toska: Ishte shumë kaotike që e para, ti nuk do ta çosh përpara këtë bekim dhe këtë ardhje të fëmijës që sapo ke nisur dhe që është i pari se ka të bëjë shumë edhe që është i pari dhe nga ana tjetër sfida që kisha unë që nuk më linte në atë dhimbjen pa zgjidhur hallin e punës që vazhdonte dhe patjetër duhet të ishte dikush aty dhe nuk do të isha unë. Me shumë keqardhje…
-Ke qarë?
Amarda Toska: Kam qarë shumë gjatë natës finale dhe isha pak e merakosur sepse gjithë ngarkesa ime do t’i binte Ermalit që ishim bashkëprezantues në atë edicion dhe do t’i binte atij, domethënë ishin shumë gjëra bashkë.
Finalja shkoi siç duhet, por pas disa ditësh Ami mori lajmin se shtatzënia ashtu spontanisht siç qe nisur, u ndërpre.
“Si përfundim, nuk ia dola dot. Një ditë të bukur pata rrjedhjen e ujërave në mënyrë spontane edhe pse e kisha bërë regjimin për mbi dy javë dhe kaq, kur ndieva që më rrodhën ujërat thashë diçka nuk është mirë, shkova menjëherë te mjeku dhe aty më tha që çdo gjë ka përfunduar. Ishte një tentativë për të shpëtuar një jetë, por gjërat nuk i kemi në dorë“, tregoi Ami.