Një mesazh nga nëna e 14 vjeçarit i cili u vra pak ditë më parë prej bashkëmoshatarit të tij te shkolla “Fan Noli” në kryeqytet. Fjalë tejet prekëse të përcjella nga një protestuese para Ministrisë së Arsimit, aty ku janë mbledhur një numër i madh njerëzish.
Nëna e të miturit falenderon personat që iu gjendën djalit të saj në momentet e tij të fundit, të gjithë shqiptarët për suportin moral dhe Federatën Shqiptare të Futbollit.
“Në pamundësi për t’iu bashkuar suportit tuaj të madh. Nuk mendoj që ka fjalë që e përshkruan këtë dhimbje që na ka lënë pas një boshllëk që nuk do mbushet kurrë. Falenderoj gjithë popullin shqiptar dhe FSHF-në për praninë dhe mbështetjen në këto momente të vështira, s’di sa mirënjohëse mund të jem për ata që ju gjendën Martinit në momentet e tij të fundit.
Ju falenderoj nga zemra! Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ia morën të dyja. Si nënë që jam, uroj nga thellësia e shpirtit që askush të mos sprovohet me një dhimbje të tillë. Respekte, Florina dhe Angel Cani”, ishte mesazhi i saj që i përloti të gjithë.