Më në fund është konfirmuar se premiera absolute e filmit “Në kuadër të dashurisë”, do të mbahet më 9 Tetor në Pallatin e Kongreseve. Teksa ditët po afrojnë dhe të gjithë po e presin me padurim publikimin zyrtar, çdo detaj i vogël shkakton kureshtje në sytë e publikut. Ndaj për të zbuluar pak më shumë rreth këtij projekti, aktorja protagoniste Olta Gixhari, ka qenë e ftuar në emisionin “Pardon My French“ në Top Albania Radio.
Duke qenë që dashuria e Oltës është filmi dhe tani ajo rikthehet si aktore në një projekt që ka një kuriozitet të jashtëzakonshëm publik për momentin, si po e pret ajo premierën e filmit “Në Kuadër të Dashurisë” dhe çfarë na zbulon më tepër?
Kjo gjë po më shkatërron. Zakonisht kur gjërat kanë pritshmëri të lartë edhe ndodh që njerëzit zhgënjehen sepse pritshmëria është kaq e lartë sa duket sikur unë do të dal aty tek filmi dhe do të bëj një gjë të jashtëzakonshme që nuk është parë asnjëherë dhe kjo të vë në presion.
Si po e pret premierën?
Me shumë emocion tani po merrem me fustanet. Jam në gjendje kaq të parehatshme psikologjike sa nuk e di se si do të vishem nuk e kam një imazh se si e shoh unë veten atë natë. Kam shumë emocione sigurisht uroj që ta shoh filmin sa më shpejt që gjithësesi të kem një çlirim sepse nuk e kemi parë ende, por e di që do ta shohim shumë shpejt. Nuk e di se si do të jetë. Emocionet i kam shumë të mëdha dhe uroj që filmi të pëlqehet dhe të lë një shije të mirë.
Ne jemi mbledhur një grup aktorësh profesionistë dhe jemi munduar që të bëjmë një punë me një dashuri shumë të madhe dhe përkushtim, kjo është e vërtetë. Edhe pse periudha që e kam xhiruar unë nuk ka qenë fort relaksuese sepse ka qenë direkt pas periudhës së shtëpisë që dola dhe akoma nuk isha çmallur me djalin.
Olta ka treguar gjithashtu se:
Sa kam punuar për këtë projekt, në këtë film nuk kam punuar në asnjë projekt tjetër. Kam punuar dyfish pasi mendoja që kisha përgjegjësi për dy, jo vetëm për një. Mendoja që isha me gjysëm energji dhe kjo ishte arsyeja pse punoja dyfish për të kapur ritmin tim.
Nuk e di se çfarë kam bërë sepse ndonjëherë e tejkalon dhe nuk është edhe aq mirë që të mbi punosh. Nuk e di. Megjithatë i fus një mendje të lehtë për të qetësuar veten dhe them ‘në rregull’ nuk do të jetë filmi i fundit edhe nëse ti nuk ke dalë aq mirë do të kesh mundësi ta rregullosh në një film tjetër sepse edhe aktoret e Hollywood-it nuk i kanë të gjitha rolet e shkëlqyera. Uroj që të jem korrekte.