Denisi dhe Xhesika ishin i vetmi çift që u deklaruan bashkë në spektaklin e parë të “Love Island Albania”, i cili u transmetua vitin e kaluar në Tv Klan. Në fakt, ata ishin ndarë pak kohë para se Denisi të shpallej konkurrent në “Love Island”, por pas tij, u bë pjesë e spektaklit edhe Xhesika.
Që në fillim, ata u bënë çift me njëri-tjetrin dhe arritën të shuanin konfliktet që i kishin ndarë. Pasi dolën nga vila e dashurisë, Denisi dhe Xhesi i premtuan njëri-tjetrit që do të gjenin zgjidhje për çdo situatë dhe do të bënin të pamundurën për të qenë bashkë.
Në fakt, për fat të keq, punët nuk kanë shkuar mirë. Në një status të saj të fundit, në llogarinë sociale, Xhesi shpjegon se përfundimisht, ndarja ka qenë zgjidhja e duhur.
Mes të tjerave, ish-konkurrentja e “Love Island” u jep të drejtë miqve të saj virtualë, edhe kur ata e kanë paralajmëruar për zgjedhjen e gabuar që po bënte.
“Më pëlqen të shkruaj, më pëlqen të shprehem dhe ka kaluar shumë kohë që nuk e kam bërë. Tashmë e dini, unë jam një vajzë e thjeshtë, më pëlqen të qesh, më pëlqen të këndoj, më pëlqen të bëj shaka dhe të jetoj me gjëra të thjeshta, por e vërteta, nuk di, nuk dua dhe nuk mund të shtirem.
Dua, jetoj, qesh dhe qaj gjithmonë me zemër dhe për këtë do të jem gjithmonë krenare, megjithëse jemi në një botë ku të tregosh veten pa filtra dhe pa maska është bërë anomali, por unë kështu jam, krenare për vërtetësinë time.
Kjo është kohë e vështirë, për mua shumë e dhimbshme. Historia ime fillon nga larg, e hedhur në një botë kaq të çuditshme dhe të vështirë për t’u menaxhuar. Për këtë arsye mora kohë në heshtje, duke rrezikuar të mungoj në respekt ndaj atyre që më mbështetin çdo ditë.
Në këtë rrugëtim, kam kërkuar të filloj nga zero, nga ato themele të ndërtuara me kalimin e kohës, të njëjtat që mendoja se do të më bënin të pathyeshme.
Për këtë arsye është kaq e vështirë për t’u pranuar dhe për t’u ndarë, sidomos kur e do dikë pa kushte dhe kthehesh të besosh në një të ardhme të rëndësishme. E vështirë për t’u kuptuar, kur e kupton se asgjë nuk ka mjaftuar dhe ndoshta nuk do të mjaftojë kurrë. Jam shumë mirënjohëse për mbështetjen që më keni dhënë, edhe kur më paralajmëruat se po bëja zgjidhjen e gabuar. Kishit të drejtë.
Ju dua, Xhesi” – shkruan ish konkurentja e “Love Island Albania”.