Mbrëmjen e sotme, reperi i njohur nga Kosova ishte i ftuar special në “Big Brother Kosova” për të dhënë një konferencë shtypi përballë banorëve. Ndonëse u përball me shumë pyetje ngacmuese, Fero u tregua i kujdesshëm për ato që i përkisnin jetës së tij personale. Ndarja e tij me Arbenitën ka qenë e bujshme, edhe për shkak të mosmarrëveshjeve që çifti ka pasur për kujdestarinë e vajzës, megjithatë Fero tha sonte se e ka zgjidhur tashmë këtë gjë: “Po, e kam zgjidhur. Vajza, pa dyshim si çdo vajzë dhe çdo djalë, do më shumë nënën se babën. Vajza qëndron me nënën e saj”.
I pyetur për raportin e tanishëm me Arbenitën, Fero tha se është i mirë: “Është marrëdhënie e mirë, kemi shumë respekt për njëri-tjetrin, unë kam shumë respekt për të, edhe dashuri, është nëna e vajzës sime. Asnjëherë nuk do ta hedh poshtë nënën e vajzës sime, çfarëdo që të ndodhë. Asaj i shpresoj më të mirat e jetës. Kaq.”
E radhës ishte pyetja nëse e kanë menduar ribashkimin për hatër të vajzës. Për çudi, Fero tha se jo vetëm e kanë menduar, por ai akoma mendon se më e mira për vajzën është që ata të ribashkohen, por ish-partnerja nuk mendon njëlloj:
“Po, kemi menduar, por ndonjëherë është më mirë kështu, kur nuk mundet askush të gjejë gjuhën e përbashkët. Unë mendoj se gjëja më e mirë për vajzën është bashkimi, por ish e dashura ime nuk e ka mendimin e njëjtë. Nuk e fajësoj, e vlerësoj për mendimin e saj, cilido qoftë. Ka mendimin e saj dhe nuk kam qejf të përzihem”, – shtoi Fero.