Nëse sapo u stabilizuat me uljet e lehta të temperaturave dhe keni bërë plane në fundjavë, ne dhe aplikacioni i parashikimit të motit kemi një lajm të keq: tashmë është shiu pengesa e rradhës! Edhe pse për disa nuk është aspak lajm i keq dhe me zor presin reshje shiu, pas këtyre ditëve plot diell dhe temperatura të pazakonta.
Por, a e dini që ka një shpjegim shkencor se si koha ndikon në gjendjen tonë emocionale?
Shkencërisht, ka faktorë të ndryshëm se si dhe pse moti i zymtë ndikon në gjendjen tonë, por shkencëtarët besojnë se mungesa e dritës së diellit është fajtori kryesor.
Drita mund të mendohet si një lloj “droge”. Kur ka shumë pak diell, do të filloni ta ndjeni nevojën – emocionalisht dhe fizikisht.
Kjo për shkak se trupi ynë mbështetet në rrezet e diellit për të mbajtur nën kontroll orën e brendshme që rregullon ciklin tonë gjumë-zgjim. Një dozë e dritës në mëngjes ju ndihmon të ndiheni vigjilent, kështu që kur bie shi për ditë të tëra, mund të filloni të ndiheni të përgjumur. Kjo mund të prishë modelet tuaja normale të gjumit, duke ju bërë të dremoni më shumë ose më pak se zakonisht.
Rrezet e diellit gjithashtu mund t’ju shtojnë nivelet lumturisë duke nxitur dy nga kimikatet e trupit për t’u ndjerë mirë: serotoninën dhe dopaminën. Pa këtë dritë – dhe nivele adekuate të këtyre neurotransmetuesve – disa njerëz janë më të prirur të ndihen në depression. Mungesa e diellit (dhe efektet e tij të mundshme në trurin tuaj) besohet gjithashtu të jetë një nga shkaktarët më të mëdhenj të çrregullimit afektiv sezonal (SAD), një formë depresioni që prek miliona njerëz, kryesisht gjatë vjeshtës dhe dimrit, çdo vit.
Faktorë të tjerë meteorologjikë – duke përfshirë ndryshimet në temperaturën, lagështinë dhe presionin barometrik – mund të shkaktojnë gjithashtu shpërthime dhimbjeje tek njerëzit që janë të ndjeshëm, të cilat mund të ndikojnë në mënyrë të kuptueshme se si një person po ndihet emocionalisht.
Sigurisht, e gjithë kjo është shumë personale. Megjithëse nuk kuptohet 100%, duket se ekziston një lidhje midis personalitetit tuaj dhe ndjeshmërisë tuaj ndaj motit. Në fund të ditës, disa njerëz thjesht e urrejnë shiun dhe të tjerë e duan!