Një intervistë e Dojna Memës në emisionin “Sol” në Klan Kosova është rishfaqur dhe është bërë virale në rrjetet sociale. Më konkretisht, bëhet fjalë për një fragment të intervistës ku moderatorja ka rrëfyer anën tjetër të ndjesisë të mëmësisë në ditët e para.
Dojna i referohet pikërisht momentit kur fëmija sapo vjen në jetë dhe është ende e vështirë për disa nëna që të mendojnë menjëherë se është personi më i rëndësishëm në jetën e tyre.
Për vetë moderatoren ka qenë një proces që ka kërkuar kohën e tij, bashkëngjitur edhe fakti që kishte krijuar në kokë tashmë një tjetër imazh të Nolan Solit. Por në fund ajo shton dhe thekson se me kalimin e konfuzitetit të fillimit, djali thjesht u kthye në qenien më të rëndësishme për të.
“Nuk është e thënë që në momentin e parë që të vendoset fëmija në dorë ti ti duhet ta konsiderosh si qenien më të rëndësishme të jetës tënde. Jo, ndoshta mund të duhet një proces pak më i gjatë. Për mua ka qenë një proces pak më i gjatë e di pse, sepse e kisha përfytyruar në koën time komplet ndryshe. Pra imazhin e tij e kisha përfytyruar komplet ndryshe dhe në momentin që erdhi Nolan Sol thashë ky është, nuk po e njoh me atë që kam krijuar në kokën time. Kështu që isha pak konfuze. Kam qenë pak konfuze ditët e para, muajt e parë, dy, tre muajt e parë, pastaj ai thjesht është gjëja më e rëndësishme, qenia më e rëndësishme për të cilën unë frymoj.” – shprehet Dojna.
“S’është e thënë që kur bën fëmijë ta konsiderosh atë si qenien më të rëndësishme të jetës”, ishte titulli i videos. Reagimet në video kanë qenë të shumta dhe një pjesë e madhe e tyre e kanë kritikuar moderatoren përmes komenteve negative dhe gjuhës së urrejtjes.
Për të gjithë këtë, Dojna është përgjigjur përmes një videoje. Ajo ka lidhur edhe pjesën e shkëputur nga intervista e cila nuk përmban esencën e plotë të situatës, titullin dhe komentet e më pas ka thënë dy fjalë. Si fillim, moderatorja shpjegon se për këtë fragment kaq viral është vendosur në dijeni nga shumë njerëz që ia kanë dërguar pasi intervista është dhënë kohë më parë.
“Jam shumë e prekur nga një intervistë e dhënë përpara disa kohësh në Kosovë për një pjesëz krejtësisht personale të një përjetimi që kanë shumë nëna. Në vijim është dhe reagimi im!”, shkruan Dojna në diçiturën e videos.
Më tej, ajo u kthehet komenteve duke u bërë pyetjen kryesore “edhe sa nëna do të gjykojmë përpara se të jetë mjaftueshëm?” Dojna kritikon titullin e videos ndërsa nuk lë pa përmendur as shkrimin e gabuar të emrit të të birit, i cili në video është vendosur pa hapësirë.