Me sa duket ky vit ka rezultuar i suksesshëm sa i përket kinematografisë shqiptare, me plot projekte filmike. Ndërsa publiku është ende në pritje të dy filmave më të përfolur të momentit “Në kuadër të dashurisë” me protagonistë Luiz Ejllin dhe Olta Gixharin, si dhe një “5 herë jo” nga Bora Zemani e Donald Veshaj, një tjetër projekt është duke u xhiruar.
E kemi fjalën për “Tryeza e Zezë”. Një projekt tërësisht ndryshe nga filmat e sipërmendur. Themi ndryshe pasi këtë herë ndryshe nga filmat e tjerë që janë komedi romantike, “Tryeza e Zezë” është e zhanerit aksion dhe dramë, i cili do të trajtojë disa çështje nga mafia te familja e dashuria.
Teksa filmi ende është duke u xhiruar dhe produksioni shprehet tepër entuziast për këtë projekt, që sipas tyre do të jetë diçka shumë e madhe, mësohet “Tryeza e Zezë” do të bëjë bashkë shumë aktorë të njohur e personazhe të televizionit si Kastriot Caushi, Arben Derhemi, Ervin Bejleri, Ergys Keta, Romir Zalla, Monika Lubonja, Rovena Dilo, Nevina Shtylla, Eni Tare etj.
Në vijim, po ju sjellim disa nga fotot e shkrepura gjatë xhirimeve të filmit, i cili premton shumë.