Që muzika e Noizyt ka kaluar kufijtë kjo dihet tashmë: Nga kryesimi në toplistat muzikore evropiane, nga trending në YouTube në shtete të ndryshme, nga viralet në mediat sociale, apo edhe nga yjet e huaja që janë shfaqur duke dëgjuar këngët e tij ndër vite.
Por, reperi vijon çdo ditë e më shumë të shtrijë “tentakulat” e tij në tregun ndërkombëtar. Thënë kjo, tani një nga revistat më në zë italiane “Esse Magazine” i ka dedikuar një dokumentar.
Media online ka njoftuar për kanalin e saj të YouTube ku do publikojë çdo javë dokumentare mbi jetën e reperëve që i cilëson si “më të mirët në Europë”. E krah tyre është edhe Noizy.
“Europa ka një skenë të bashkuar dhe ne duam ta tregojmë atë. Kjo është arsyeja pse ne kemi krijuar “Esse in Europa”, formati ynë i ri në YouTube ku do t’ju lejojmë të zbuloni reperët më të mirë evropianë dhe lagjet nga vijnë. Një seri intervistash dhe dokumentarësh për të lidhur publikun italian me historitë e artistëve më të fortë të huaj dhe skenat më të nxehta. Nesër në orën 14 shpallim protagonistin e parë të rrugëtimit tonë. Kë do të dëshironit të shihnit si të ftuar të formatit tonë të ri?”- ka njoftuar revista në mediat sociale.