Ka diçka të veçantë në kulturën e çdo vendi dhe padyshim edhe në stilin e jetesës. Përpos gjithë ndryshimeve që na karakterizojnë si njerëz dhe ndryshimeve nga njëra shtëpi në tjetrën, janë disa gjëra që e bëjnë gjithë Shqipërinë dhe çdo shqiptar bashkë, dhe ato “GJËRA”, ndodhen pikërisht brenda shtëpisë së secilit nga ne! Cilat janë?!
1. Kupat dhe kontenierët plastikë, të koleksionuara që prej vitit 2000.
2. Tundësi i dhallës (Dybeku) – Kos i bërë vet në shtëpi, ujë, kripë, tundim shumë dhe ja formula e lëngut magjik.
3. Tigani parahistorik që nuk zhduket kurrë nga kuzhina. Nuk ka rëndësi se sa sete tiganësh do hyjnë në kuzhinë, ky tigan do të jetë gjithmonë aty për të pritur e përcjellë të rinjtë.
4. Filxhanët e kafes – Nëse ka një hierarki të rëndësisë së njerëzve që hyjnë e dalin në një shtëpi shqiptare, mjafton të shohësh llojin e filxhanit me të cilin serviret kafeja turke. Ekzistojnë tre kategori filxhanësh – filxhanë për njerëzit e shtëpisë, filxhanë për miqtë dhe kategoria e filxhanëve për MIQTË SUPERIORË.
5. Meqë jemi te filxhanët, kemi dhe ato filxhanët e çajit që janë gjithmonë më të bukurit, por ke mundësi t’i admirosh vetëm nga larg, pasi janë vetëm dhe vetëm për “miqtë”. Sigurisht, ato filxhanë çaji nuk u përdorën kurrë, sepse askushh nuk pi çaj kur shkon për një vizitë në një shtëpi shqiptare, absolutisht askush. E megjithatë, ato filxhanë vazhdojnë të qëndrojnë aty, ‘kryelartë’ dhe të ‘paprekur’.
6. Kavanozë e qelqit – të mbledhur me shumë kujdes nga çdo blerje majoneze, turshie, reçeli apo salce, këto kavanoza qelqi do e ruajnë përgjithmonë qëllimin e tyre dhe do përdoren përgjithmonë për turshi, salcë dhe reçel të bërë vet.
7. Si mund të mos përmendnim zbukurimin më të famshëm në çdo shtëpi shqiptare – çentrot. Asnjë zbukurim në shtëpi nuk duket bukur nëse nuk ka një çentro të vendosur poshtë tij. E nëse nuk ka çentro rrotull, e sigurt ato do jenë në një raft të dedikuar, bashkë me mbulesat e tavolinës.
8. Tenxherja parahistorike që tashmë përdoret për të zjerë qumështin.
9. Po ato qeset palstike sa herë blen diçka?! Sigurisht ato nuk shkojnë kurrë në koshin e mbeturinave. Vendi tyre është në një sirtar të dedikuar vetëm me qese.
10. Gotat e rakisë – Njëlloj si filxhanët e kafes, edhe këto gota tregojnë llojin e “miqve” që kanë ardhur. Shpesh, këto gota (sidomos ajo e fundit djathtas) përdoret për të servirur pijet e sheqerosura për gratë.