Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ish-Miss Kosova dhe këngëtarja e njohur Drenusha Latifi ka ndarë me ndjekësit një mesazh të fortë dhe motivues drejtuar grave që kanë mbijetuar dhunën në familje.
“Dhuna ndaj gruas është një shfaqje e dobësisë, jo e fuqisë. Andaj, zëvendëso dhunën me dashuri: respekto jetën dhe integritetin e gruas”, u shpreh Latifi në një video-mesazh të ndarë në rrjetet sociale, të cilin e ka konceptuar si pjesë e një nisme për ndërgjegjësim realizuar nga Kuvendi Rinor në Komunën e Prishtinës.
Pak ditë më parë, Latifi, ka tronditur opinionin me rrëfimet e saj lidhur me dhunën fizike të ushtruar nga ish-bashkëshorti i saj gjatë kohës që ishin bashkë.
Ajo ka zbuluar edhe fotografitë e dhunës, të cilat janë sa të tmerrshme aq edhe shqetësuese për t’u parë, duke qenë se demonstrohet rrahja brutale e ushtruar nga ish-partneri i saj, Atilla Kardesh.