Organizata Botërore Meteorologjike (OBM), pjesë e OKB, dha një paralajmërim të rëndëdishëm për të gjitha qeveritë e globit, teksa në një njoftim të ditës së djeshme, i nxiti që të përgatiten për dukuritë ekstreme të motit dhe temperatura rekord në javët e muajt e ardhshme, si pasojë e fenomenit “El Nino”. Për ju që nuk e dini ose nuk keni dëgjuar ende për të, El Niño është një efekt (ose model) klimatik natyror që e ka pikënisjen në Oqeanin Paqësor e që sjell temperatura më të nxehta se mesatarja e sipërfaqes së detit dhe ka një ndikim të madh në mot në të gjithë botën, duke prekur kështu miliarda njerëz.
Sekretari i Përgjithshëm i OBM, Petteri Taalas u shpreh kështu për fenomenin klimatik që pritet të vijë: “Shfaqja e El Niño-s do të rrisë shumë gjasat që të thyhen rekorde të temperaturës dhe të përballemi me nxehtësi më ekstreme në shumë pjesë të botës dhe në oqean.”
Deklarata e organizatës vjen si një sinjal për qeveritë e cdo shteti që të nisin përgatitjet për të kufizuar ndikimet e “El Nino=s” në shëndet, ekonomi dhe në gjithë ekosistemin. Sipas Taalas është shumë e rëndësishme që qeveritë të krijojnë sisteme të paralajmërimit të hershëm, në mënyrë që njerëzit të pregatiten për ngjarje shkatërruese të motit, e në këtë mënyrë të kenë mundësinë të shpëtojnë shumë jetë njerëzish.