Olsi Abazin publiku e njeh për qetësinë olimpike në pothuaj të gjitha penelet në të cilat ai është i ftuar dhe, sado i zjarrtë të jetë debati mes të ftuarëve, ndërhyrja e tij e paqtë bën që ujërat të qetësohen e të kthjellohen. Filozofia se kush flet me zë të lartë nuk do të thotë që ka të drejtë, zë vend tek Olsi më shumë se tek askush tjetër. Megjithatë, këtë herë nuk ishte nevoja të neutralizonte debatet, qofshin ato për personazhet e BBV apo edhe për të tjera tematika televizive.
Këtë herë, Olsi Abazi ishte i ftuar në “Ftesë në 5” për të folur më shumë për veten. Si rrallëherë, ai u rikthye shumë vite pas, duke kujtuar fëmijërinë e pakrahasueshme me të sotmen, dëshirën për liri dhe vetëvendosje, por u ndal më shumë edhe tek rinia, unike dhe ajo për kohën: të kaloje kufirin drejt Greqisë më këmbë vetëm sepse i kishe vënë vetes qëllim të blije një biçikletë, s’ngjante aspak me “objektivat” e rinisë së sotme..
Olsi rrëfeu shumë edhe për lajthitjen e kohës së tij, atë që sot, në moshë madhore, e ka të qartë që ka qenë thjesht një marrosje. E tillë ishte edhe ajo që i ndodhi në fund të shkollës së mesme – dashuria e tij e parë.
Për t’iu përgjigjur pyetjes së moderatores për dashurinë e tij të parë, Olsi kujton: “Më ndodhi në fund të shkollës së mesme. U marrosa, kështu mund ta quaj, sepse burrat në fillim marrosen, nuk dashurojnë. Ishte një grua më e madhe se unë në moshë dhe unë krisa, ika nga Shqipëria në atë kohë…”
Ishte një histori që zgjati jo pak, por 6 muaj: “Paska qenë marrosje vërtet” – ndërhyn Bieta me të qeshur, por Olsi, vijon po qetësisht.
“Unë isha rritur në një familje intelektualësh dhe me libra. Mbaja mend një shprehje të Balzakut që thoshte se “një burrë duhet të dashurohet me një grua më të madhe në moshë, sepse atje gjen nënën, gruan dhe dashnoren perfekte”. Edhe unë ndoqa Balzakun… Por nuk ishte ashtu”, – tha Olsi me të qeshur.
Ndodhi çfarë ndodhi asokohe, është kohë që iku. E ëma e Olsit, në mesazhin që i dërgoi sot të birit, i bëri një kërkesë që të ndryshojë statusin “single” dhe ai i premtoi që do të përpiqet më shumë për këtë. Mbetet të shohim ç’do të ndodhë.