Luiz Ejlli i cili teksa ndodhej brenda “Big Brother Vip Albania”, nga ana tjetër përballej dhe ende ka të hapur një betejë ligjore me drejtësinë, nisur në qytetin e Lushnjës dhe proces që vazhdon aktualisht në Prokurorinë dhe Gjykatën e Fierit, pas hartës së re gjyqësore dhe shkrirjes së gjykatës e prokurorisë në Lushnjë.
FactCheck ka mësuar se prej datës 26 dhjetor 2022, Luizi zyrtarisht është i pandehur për drejtësinë shqiptare si person i dyshuar për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve kryer në bashkëpunim. Sipas nenit 186 paragrafi i dytë, për të cilin ai është marrë i pandehur nga prokuroria e Lushnjës referuar kodit penal rrezikon nga 6 muaj deri në 4 vite burgim, në rast se do të gjendet fajtorë.
Drejtësia e akuzon Ejllin se me profesionin e noterit ai ka falsifikuar deklaratë noteriale për të justifikuar paratë e një personi që ishte në hetim. Kjo histori nis në vitin 2021, aty ku prokuroria do të kërkonte sekuestrot e pasurive të shtetasit F.A si të pajustifikuara me burime të ligjshme.
Sekuestro e kërkuar asokohe nga prokuroria e Lushnjës, do të pranohej nga gjykata më 28 nëntor të vitit 2021.
Pak muaj pas kësaj sekuestro shtetasi F.A, i cili po ashtu është i bashkëpandehur me Ejllin ka depozituar një deklaratë noteriale bërë tek Noteri Luiz Ejlli. Më 25 shkurt 2022, shtetasi F.A paraqet në prokurori deklaratën noteriale e cila sipas tij ishte bërë tek zyra noteriale e Luiz Ejllit më datë 16 dhjetor 2015 dhe mbante të dhënat si në facsimile “nr 663 Rep, Nr 213 Kol datë 16.12.2015.
Kjo deklaratë sipas prokurorisë kishte përmbajtjen e marrjes së një huaje në dy këste nga 2008-2015 prej 151 mijë euro dhe 2011-2015 prej 60 mijë euro, para të cilat bashkëshortja e shtetasit F.A i kishte marrë për të shlyer një kredi.
E pikërisht kjo deklaratë s’ishte gjendur në arkivat e ministrisë së drejtësisë në përgjigje të kërkesave për informacion, kërkesa në kuadër të hetimit pasuror që po kryente prokuroria e Lushnjës.
Kaq ka mjaftuar që prokuroria të krijojë dyshime se mund të ketë një shkelje ligjore dhe ka thelluar hetimet duke zbuluar zyrën noteriale të Luiz Ejllit e po ashtu dhe veprimet e bëra disa vite më parë.
Ndërsa ky lajm është bërë i ditur sot, mbetemi në pritje të një reagimi nga Luiz Ejlli, për të sqaruar lajmin ose për të dhënë më tepër detaje lidhur me këtë çështje.