Beniada Nishani, Jori Delli apo edhe Heidi Baci kanë pasur sukses në tri edicionet e BBV, por askush nuk u ul të analizonte pse pikërisht ato, me shqipen gjysma-gjysma, me aktualitetin që për to vinte mjaft i largët apo edhe i panjohur e me shumë situata të thjeshta për VIP-at që jetojnë në Shqipëri e pothuaj të pakuptueshme për ata që jetojnë jashtë Shqipërie?
Me Benin, kush nuk u dashurua? Aq sa naive, në dukje, aq edhe inteligjente, gjithmonë pozitive, në çdo situatë, Beni ia doli rrugëtimit deri në fund dhe ishte po njëlloj nga fillimi në fund. Si edhe është sot…
Po me Jorin, kush mbeti pa u joshur nga bukuria e saj, aq sa edhe inteligjenca, me gjithë vështirësitë që shfaqte herë-herë me gjuhën. Arriti edhe ajo t’ia dalë, të shkojë gjatë në “Big Brother”, edhe pse hyri më vonë, por edhe ta bënte publikun për vete me spontanitetin që e karakterizonte.
Heidi Baci, më e freskëta mes “italianeve” që kanë qenë pjesë e “Big Brother”, gjithashtu pati një rrugëtim të plotë në këtë format dhe u pëlqye po aq sa edhe dy të parat. Edhe Heidi, në fillim e pati pak të vështirë me të kuptuarit e situateve “shqiptare”, por e mori veten shpejt dhe ia doli deri në fund të fitonte simpatinë e publikut.
Po pse kanë pasur sukses vajzat shqiptare që vijnë nga Italia? Nëse ju ende nuk e keni menduar, Jori Delli e ka zbuluar. Ajo tregon për “Pushime on Top” se të tria të sipërpërmdurat kanë hyrë në Big Brother pa kokëçarje, pra pa e vrarë mendjen nëse do përfliteshin, pa drojë.
“Beniada, unë dhe Heidi, kur jemi futur, nuk na plaste fare për mendimet e të tjerëve. Po të isha futur në Itali, mbase do isha pak më e përmbajtur, sepse unë atje e kisha jetën, ndërkohë kur futesh në Shqipëri thua “më plasi mua… Kë kam? Kam 7 halla, 3 kushërinj, s’më prish punë”. Të gjithë shoqërinë, punën time, gjërat i kisha në Itali, kështu që filtrin apo përmbajtjen unë e kam hequr, sepse thashë ‘çfarë do humb’?” – u shpreh Jori.
Kështu ndoshta kanë menduar, sipas Jorit, edhe Beni apo Heidi, sepse edhe ato kanë qenë në pothuaj të njëjtat kushte si ajo.