Genta Ismajli ishte e ftuara speciale në emisionin “Ndryshe” të Top Albania Radio mbrëmjen e sotme, ku ndau me publikun mendime dhe ndjenja të sinqerta mbi të ardhmen e saj artistike. Gjatë intervistës, këngëtarja foli për planet e saj dhe sfidat që ka hasur në rrugëtimin e saj muzikor.
E pyetur nëse mund ta shohim së shpejti në një projekt të ri muzikor, Genta zbuloi se ka pasur shumë përvoja të rëndësishme me producentë ndërkombëtarë.
“Kam bashkëpunuar me shumë producentë. Madje kam shkuar e kam takuar në Hollywood shumë emra të njohur. Kam punuar, por që atëherë nuk kam ditur me të thënë të drejtën. Tani me eksperiencë jam më e qartë. Kam harxhuar para sa kam mundur, edhe asgjë”, u shpreh Genta.
Duke reflektuar për fazën aktuale të karrierës së saj dhe nëse ndihet vonë për të nisur projekte të reja, Genta u shpreh me optimizëm, duke besuar se ka ende shumë për të dhënë:
“Absolutisht që është vonë. Unë prap kam besim edhe nuk ndihem fare që kam bërë diçka. Akoma kam për të dhënë. Akoma do të bëj. Më dhëntë Zoti shëndetin edhe kjo është.”
Ndërsa diskutoi për bashkëpunime të mundshme, Genta përmendi se një bashkëpunim i ardhshëm mund të jetë me Mozzik, duke lënë të hapura mundësitë për projekte të reja dhe tërheqëse për fansat.
“Ndoshta me Mozzik,” u shpreh ajo kur u pyet për një artist me të cilin do të dëshironte të bashkëpunonte në të ardhmen.
Një moment emocionues i intervistës erdhi kur Genta u prek gjatë diskutimit për një koncert të madh në stadium, duke treguar dëshirën e saj për t’u rikthyer fuqishëm në skenë:
“Tani u mbusha me emocione. (përlotet) Po, më ka marrë malli shumë. Do doja shumë në fakt të kisha një ekip profesional që të më shtynte përpara si artiste që të punoj shumë dhe të jenë besnik. Atë kërkoj dhe nëse nuk e gjej atë, nuk do të nis me muzikë.”