Një ngjarje e paprecedentë i ka ndodhur këngëtares me origjinë shqiptare, Bebe Rexha në aeroport në një nga fluturimet e një kompanie të njohur gjermane.
Në një video të postuar në Instagramin e saj, Bebe Rexha duket mjaft e tronditur dhe duke qarë, pasi, siç shprehet ajo, është kërcënuar nga agjenti i sigurimit. Arsyeja, sepse i ka folur shqip.
Ylli i “I’m The Drama” sqaron: “Jam kërcënuar, sepse mendoja se agjenti i sigurimit ishte shqiptar. i fola shqip dhe e pyeta se ku mund ta marr biletën time dhe tani ai më ndalon fluturimin”.
E gjithë kjo ka ndodhur “vetëm sepse jam shqiptare” – vijon Bebe Rexha mjaft e irrituar për incidentin.
Ajo shton më tej se agjenti nuk ka dashur ta tregojë emrin e tij, por ajo e ka zbuluar se për cilën kompani punonte.
Këngëtarja ishte në Riad të Arabisë Saudite, pasi ka qenë e ftuar për të performuar në festivalin ‘MDL Beast’, dhe ishte në rrugën e kthimit për në shtëpi, në Los Angeles – kur ndodhi incidenti.
Në fakt, kjo nuk është hera e parë që i ndodh. Disa javë më parë, ajo bëri zhurmë të madhe në mediat ballkanase, pasi “provokoi” me emrin “Shqipëri” të gjitha trevat shqiptare si Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Preshevën.