U deshën vetëm 3 ditë që show më i madh televiziv, “Big Brother VIP Kosova”, të shikohet miliona herë.
Ky spektakël, i organizuar me detaje në çdo aspekt, edhe një herë theu të gjitha rekordet sa i përket audiencës dhe shikueshmërisë, raporton Klan Kosova.
Mbi 20 milionë shikime mblodhi vetëm në dy ditët e para.
Fillimisht, mbrëmjen e së premtes mijëra familje ishin mbërthyer përpara ekranit të Klan Kosovës, për të ndjekur natën e parë të edicionit të dytë BBVK.
E mjaftuan mbi 5 orë spektakël, për të shpërthyer i gjithë projekti në shifra marramendëse shikimesh, e shpërndarje të mëdha nëpër krejt rrjetet sociale.
Facebook, Instagram, Youtube e Tik Tok, tani kanë vetëm një ngjyrë – atë të ngjarjeve që po dhurojnë banorët e shtëpisë më të famshme në vend.
Gjithçka nisi me gjëra pozitive, të qeshura, e këngë.
Karakteret e ndryshme të banorëve, bënë që të mos mungojnë as debatet e përplasjet mes tyre.
Banorët dhuruan edhe shumë emocione të forta dhe lot në vetëm 3 ditë.
Produksioni nuk i la pa i sfiduar edhe në lojërat e organizuara enkas për ta.
Të gjitha këto, dhe zhvillime të tjera që ndodhën në vetëm këto pak ditë, do të trajtohen sonte me fillim nga ora 21:00, kur edhe do të mbahet Prime i parë mbi atë që dhanë banorët.